Lajme
Rrëfim tronditës nga Masakra e Poklekut, flet i emocionuar burri që humbi 14 anëtarë të familjes
Demokracia
18:22 | 07 Prill 2023

Share:

Në emisionin “INFO10”, në një rrëfim ekskluziv për krimet serbe dhe masakrën e Poklekut ka folur Fadil Muqolli, i cili ka humbur 14 familjarë në luftën e fundit.

Muqolli i emocionuar ka thënë se për shtëpinë ku ka ndodhur masakra është kujdesur vetë në mënyrë që të mos shkatërrohet. Ai ka thënë se nga viti i kaluar AMMK-ja ka caktuar një mirëmbajtës dhe iu jam shumë mirënjohës.

Muqolli ka thënë se për çdo ditë posa të kthehet nga puna shkon dhe e viziton atë vend dhe flet e i kujton çastet më të mira me familjarët e vrarë.

Ai tutje ka treguar për ngjarjen duke thënë se me datë 17 prill 1999 në orët e hershme, diku në ora 06:00 forcat serbe e kanë rrethuar fshatin she kanë filluar sulmin. Familja është zgjuar nga gjumi dhe kanë tentuar të ikin në mal mirëpo për shkak të sulmeve nuk kanë mundur të ikin në mal por janë nisur në qytet. Në qytet janë  ndalur dhe janë urdhëruar që të kthehen dhe familja janë kthyer në shtëpi.

“Forca serbe kanë shkuar të shtëpia i kanë qitë jashtë i kanë numërua, i kanë kthyer prapë në shtëpi, pas 10-15 minuta e kanë nxjerrë babën Sinanin dhe një kushëri Enver Elshanin dhe i kanë vrarë. Pas kësaj ata kanë gjuajtur me bomba dore dhe më pas i kanë gjuajtur nga brenda me pushkë automatike dhe janë larguar nga shtëpia. 51 janë vrarë dhe 6 kanë dalë të gjallë por një ka vdekur”, tha Muqolli.

Ai tutje tha se në mesin e viktimave kanë qenë 23 fëmijë  nga mosha 6-muajshe e deri në 14 vjet.

“Pas një ore janë kthyer serbët dhe i kanë djegë viktimat, edhe të nesërmen i kanë djeg prapë bashkë me shtëpinë time. Ne i kemi mbledh eshtrat i kemi futur në thasë dhe i kemi vendosur në një bunker deri pas luftës”, tha Muqolli.

Të ngjashme