Lajme
Dy zëvendësit e Kurtit, Gërvalla e Bislimi flasin çuditshëm, njëri sheh yje e tjetri ofendon rëndë një nënë deputete
Demokracia
22:49 | 06 Prill 2023

Share:

Dy zëvendëskryeministrat e Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi e Donika Gërvalla, janë bërë sot “gazi i botës” në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po debatohej për punën dyvjeçare të Qeverisë së Albin Kurtit. 

Përderisa Bislimi duket se ka mosnjohje elementare të fjalëve të shqipes, duke mos e ditur se çka është epshi, ofendoi rëndë një deputete që është edhe nënë, Gërvalla fort e kënaqur me një vetëbesim të çuditshëm tha se një homolog i saj nordik e ka quajtur yll që shndrit, shkruan Demokracia.com.

Deklaratat e tyre ngjallën shumë reagime. Bislimi u kritikua për gjuhën seksiste, ndërsa për deklaratën e Gërvallës rrjeti ka shpërthyer me tallje.

Gjatë seancës së sotme parlamentare, Bislimi i ka thënë deputetes së PDK-së, Ariana Musliu Shoshi, “është i pakuptimtë epshi i juaj për me marrë vëmendje publike”.

“Faleminderit për pyetjen dhe kujdesin maksimal që të përcillni çdo detaj të intervistave të mia në vazhdimësi. Po ashtu, është e pakuptimtë epshi juaj për me marrë vëmendje publike, është e parëndësishme”.

Për këtë deklaratë të Bislimit reagoi edhe Konjufca.

“Kujdes fjalorin, z.Bislimi”, tha ai.

Ndërsa, gjatë fjalimit të saj në Kuvendin e Kosovës, Gërvalla tha se një homolog i saj i ka thënë që “është yll i ndritshëm i demokracisë në rajon”.

“Një homolog i imi nordik në një prej takimeve më thotë “you are the shining star of the democracy in the region”, që do të thotë “jeni yll i ndritshëm i demokracisë në rajon”, tha Gërvalla.

Tutje në fjalimin e saj, Gërvalla u shpreh se janë të panumërta bisedat me homologë të kontinenteve të ndryshme, të cilët shprehin admirim për sukseset dhe për caktimin e palëkundur të institucioneve të Kosovës për shtet ligjor e demokraci të mirëfilltë. /Demokracia.com/

Të ngjashme