Lajme
Tentativa e fundit për kapjen e Prokurorisë, hesht i preferuari i pushtetit për kryeprokuror
Demokracia
14:54 | 06 Prill 2023

Share:

Njeriu për të cilin presidentja e vendit, Vjosa Osmani, bllokoi procesin e dekretimit të kryeprokurorit, Shqipdon Fazliu, ka vendosur të hesht përpara “respektimit të afateve kushtetuese” për ankesa, të cilat i përmendi dje Presidenca. Nga ky institucion thanë se këto afate kushtetuese zgjasin deri në fund të muajit prill.

Demokracia.com ka kontaktuar ish-kandidatin për kryeprokuror, Shqipdon Fazliun, pas kërkesës së menjëhershme të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) ndaj presidentes për dekretimin e Blerim Isufajt për kryeprokuror. I pyetur nëse ka ende ndonjë kontest të hapur për çështjen e kryeprokurorit dhe nëse do të apelojë ankesë deri në fund të prillit, kundërkandidati i Isufajt ka thënë se nuk e komenton këtë çështje.

“Nuk e komentoj”, tha shkurtër ai për Demokracia.com.

Isufaj që rreth një vit është votuar nga KPK-ja për kryeprokuror, mirëpo procesi është zvarritur nga pushteti, si tendencë për t’i futur duart edhe në zgjedhjen e kryeprokurorit. Sic ka mësuar Demokracia.com, Shqipdon Fazliu është shumë i afërt me njerëz te pushtetit dhe i preferuar i tyre, për të cilin Presidenca dje tha në mënyrë implicite se po e pret afatin kushtetues për ankesa.

“Presidentja e ka sqaruar publikisht se, duke qenë se ka pasur kontestim në rrugë gjyqësore të procedurave të zhvilluara në KPK nga disa nga kundërkandidatë, Presidentja do të pres shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore që kanë në dispozicion kundërkandidatët e pakënaqur, të cilët ndodhen në procedura gjyqësore. Afatet për një kontestim të tillë përfundojnë në fund të muajit prill, prandaj Presidentja do ta marrë vendimin pas shterimit të këtij afati, sepse e kundërta do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, deklaroi këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina dje.

Rrëzimi i Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës nga ana e Gjykatës Kushtetuese duket se ia ka prishur planet pushtetit Kurti-Osmani, të cilët duket se shpresonin që të mos rrëzohej, të ndryshonte përbërja dhe të rekomandohej dikush tjetër për kryeprokuror, pasi që Isufaj njihet për profesionalizëm dhe mosnënshtrim.

Kushtetuesja në vendimin e tyre e kanë parë shqetësuese mënyrën arbitrare të shkarkimit të anëtarëve të KPK-së, që parashihej sipas projektligjit të Qeverisë për KPK-në, pa të drejtë ankese.

Osmani po vazhdon ta pres ankesën e Fazliut, ani pse Kushtetuesja kishte marrë vendim që ankesën e tij dhe Armend Hamitit të mos i trajtojë, të cilët ishin ankuar për shkelje të procedurave nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Po ashtu, tashmë nuk ekziston asnjë çështje e hapur kontestuese nëpër gjykata lidhur me këtë, porse i preferuari i pushtetit, Shqipdon Fazliu, ka afat ligjor deri më 29 prill që të ankohet nëse konsideron se i është shkelur ndonjë e drejtë.

KPK ka njoftuar se të mërkurën i është drejtuar me kërkesë Zyrës së Presidentes që ta dekretojë Blerim Isufajn në pozitën e kryeprokurorit të shtetit.

“Kjo kërkesë është bërë duke marrë parasysh se janë shterur të gjitha rrugët ligjore që kanë rezultuar se procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit ka qenë i drejtë dhe legjitim. Andaj, duke vlerësuar lart angazhimin e Zyrës së Presidentes në tërë këtë proces dhe rolin e saj si garantuese e funksionimit të institucioneve të vendit, si dhe duke besuar në qëndrimin e përbashkët që të kemi institucione me funksionalitet të plotë, KPK-ja ka kërkuar që procesi i dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit të trajtohet me urgjencë dhe të sigurohet zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, u tha në njoftimin e KPK-së. /Demokracia.com/

Të ngjashme