Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, citohet të ketë thënë se hyrja e Finlandës në NATO është një acarim tjetër i situatës.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA, raporton se Peskovi ka thënë që hyrja e Finlandës në NATO, e planifikuar për të martën, është një acarim tjetër i situatës dhe se zgjerimi i aleancës është cenim i sigurisë së Rusisë, përcjell gazeta “The Guardian”.
Zëdhënësi rus theksoi se e tërë situata në rastin e Finlandës është në mënyrë thelbësore ndryshe nga problemi me Ukrainën, sepse Finlanda kurrë nuk ka qenë kundër Rusisë.
Agjencia “Reuters” raporton se Peskovi ka thënë që struktura e NATO-s është armiqësore ndaj Rusisë dhe se Rusia do të detyrohet që të ndërmarrë kundërmasa për ta garantuar sigurinë e vendit.
Ndërkohë, para mbledhjes së NATO-s të martën, sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg, tha se pranimi i Finlandës do të jetë ngjarje historike dhe rezultat i drejtpërdrejtë i pushtimit rus të Ukrainës.
“Presidenti Putin e kishte si qëllim të deklaruar të pushtimit të Ukrainës që të kishte më pak NATO. Ai po e merr saktësisht të kundërtën”- tha Stoltenbergu para gazetarëve.