Pas një pritje për më shumë se 2 vjet e gjysmë, ka nisur edhe zyrtarisht gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Në Hagë u mbajt seanca e parë hapëse ku Prokuroria pati 5 orë kohë për ta thënë fjalën e saj.
E, në një storie të realizuar nga Radio Evropa e Lirë, qytetarët e Skenderajt dhe ata nga Buroja, zona ku lindi Hashim Thaçi, ish-presidenti i Kosovës, kanë përcjellë fillimin e procesit gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-ja nëpër dyqane dhe lokale të ndryshme. Ata besojnë se aktgjykimi i Gjykatës Speciale në Hagë është i padrejtë.
“Shpresojmë shumë që ai (Hashim Thaçi) do të kthehet shumë shpejt në Kosovë. Po i bëhet e padrejtë, edhe atij, edhe popullit të Kosovës”, tha Besim Avdyli nga fshati Burojë.
“Pa kurfarë drejtësie po i gjykojnë udhëheqësit e UÇK-së. I dëgjova edhe intervistat aty, po krejt është padrejtësi”, thotë Sahit Kastrati nga Buroja.