Shkrimtari Ag Apolloni pas fillimit të procesit gjyqësor në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së ka bërë një krahasim të gjykimit të Sllobodan Millosheviqit dhe Hashim Thaçit, duke thënë se nëse Millosheviqi vdiq i pafajshëm dhe Thaçi shpallet fajtor, ndryshon komplet e vërteta: serbët shihen si viktima, shqiptarët si agresorë.
Apolloni ka shkruar se holandezët që dështuan ta mbrojnë popullin boshnjak nga vegla e Millosheviqit, Mlladiqi, si dhe dështuan ta dënojnë vetë Millosheviqin, nuk duhet të lejojnë që prapë të dështojë drejtësia në Hagë, duke i dënuar ata që luftuan për lirinë e vendit të tyre.
“Në të kundërt, në një botë ku kasapi nuk njihet si fajtor, ndërsa ata që ishin shënjestër e tij shpallen fajtorë, SHBA-ja do të detyrohet “ta pranojë gabimin” për intervenimin ushtarak mbi Beogradin, dhe të rrijë shpërfillëse ndaj diktaturave potenciale në Evropë dhe në botë. Lufta është kaos, në kaos bëhen gabime në të dy anët, por përgjegjës është ai që sulmon, jo ai që mbrohet”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Sllobodan Millosheviqi është presidenti i parë në Evropë, në shekullin 21, që u akuzua për krime lufte. Gjykimi zgjati 5 vjet, derisa (thonë se) vdiq nga infarkti, pa u shpallur fajtor.
Hashim Thaçi është presidenti i dytë në Evropë që u akuzua për krime lufte. Gjykimi i tij sapo ka filluar.
Nëse Millosheviqi vdiq i pafajshëm, ndërsa Thaçi shpallet fajtor, ndryshon komplet e vërteta: serbët shihen si viktima, shqiptarët si agresorë. Holandezët që dështuan ta mbrojnë popullin boshnjak nga vegla e Millosheviqit, Mlladiqi, dhe dështuan ta dënojnë vetë Millosheviqin, nuk duhet të lejojnë që prapë të dështojë drejtësia në Hagë, duke i dënuar ata që luftuan për lirinë e vendit të tyre.
Në të kundërt, në një botë ku kasapi nuk njihet si fajtor, ndërsa ata që ishin shënjestër e tij shpallen fajtorë, SHBA-ja do të detyrohet “ta pranojë gabimin” për intervenimin ushtarak mbi Beogradin, dhe të rrijë shpërfillëse ndaj diktaturave potenciale në Evropë dhe në botë.
Lufta është kaos, në kaos bëhen gabime në të dy anët, por përgjegjës është ai që sulmon, jo ai që mbrohet.
E vërtetë që pas luftës, disa krerë të luftës u korruptuan. Mirëpo, të jesh kasap dhe të jesh i korruptuar, janë dy gjëra. Të dënosh të korruptuarin dhe jo kasapin, do të thotë t’i kushtosh më shumë rëndësi kuletës sesa jetës.
Edhe këtu logjika dështon, meqë Millosheviqi ishte edhe kasap, edhe i korruptuar, domethënë kriminel i dyfishtë.
Prandaj, iu lumtë atyre që, përtej bindjeve politike dhe përkatësive partiake, marshuan dje në Prishtinë me thirrjen për drejtësi.