Lajme
Para një viti as edhe një shkronjë për Epopenë e Dukagjinit | Pas mbështetjes për dialog, Kurti me fjalë të mëdha për Haradinajt
Demokracia
14:19 | 24 Mars 2023

Share:

Sot është shënuar 25-vjetori i betejës së Gllogjanit, e njohur ndryshe si “Epopeja e Dukagjinit” që u zhvillua më 24 mars 1998, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës nën udhëheqjen e Ramush Haradinajt i bëri ballë rrethimit të forcave pushtuese serbe.

Në shënimin e 25 vjetorit të kësaj epopeje mori pjesë edhe kryeministrit Albin Kurti.

Por, vitin që shkoi ndonëse ishte në Prishtinë, Kurti jo vetëm që nuk mori pjesë në shënimin e kësaj dite historike, por nuk e tha as edhe një fjalë. Madje as në rrjetet sociale, shkruan Demokracia.com.

Duket se Kurti kalkulon politikisht edhe me betejat e rëndësishme e me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Veç pasi mori mbështetje nga Ramush Haradinaj në dialog dhe planin franko-gjerman, Kurti sot mori udhën për në Gllogjan.

Pas homazheve në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, Kurti shkoi edhe te familja Haradinaj. Aty edhe e cakërroi gotat me kryefamiljarin, Ramush Haradinaj.

Kurti mori fjalën edhe në manifestimin qendror që po mbahej për të shënuar këtë ngjarje.

Osmani dhe Kurti bojkotojnë Epopenë e Dukagjinit, kryeministri s’e mori mundin ta thotë asnjë fjalë

Duke përshëndetur të pranishmit, Kurti iu drejtua edhe kreut të AAK-së, i cili u duartrokit për këtë.

Kurti tha se familja Haradinaj, pas ngjarjeve në Prekaz, i tregoi Serbisë rezistencën.

“Pas rezistencës së pashembullt të Jasharëve në Prekaz me datat 5,6,7 mars vjen qëndresa e fuqishme e familjes Haradinaj dhe Mehmetaj në Gllogjan më 24 mars. Të dyja këto e kishin një armik, Serbinë, e kishin një qëllim, lirinë”.

Kurti tha se vendosmëria e guximi i Haradinajve dhe Mehmetajve i dërgoi mesazh Serbisë se Kosova nuk dorëzohet.

“Nuk gjunjëzohet kulla, nuk mposhtet UÇK-ja, nuk nënshtrohet Kosova. Ky ishte mesazhi që Serbia fashiste mori atë ditë nga kulla e bacës Hilmi. Të vendosur në katër pozicione, Hilmi Haradinaj, së bashku me Mejremen e Frashërin, Ramush Haradinaj së bashku me Bujarin, Dauti me Rasimin e Kujtimin dhe Shkëlzeni me Enverin mbajtën në këmbë kullën, mbajtën në këmbë popullin”, u shpreh Kryeministri.

Më 24 mars të vitit 1998 në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale mes forcave të UÇK-së dhe forcave të Serbisë, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin.

Synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme. Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj./Demokracia.com/

Të ngjashme