Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar për takimin e LDK-së me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi.
Në reagimin e Hazirit vërehet qartë se është marrë “copy-paste” nga reagimi i kreut të partisë, Lumir Abdixhiku, por Haziri ka hequr një paragraf, mbase më të rëndësishmin.
Paragrafi që ka hequr Haziri në postimin e tij e që ishte në atë të Abdixhikut flet për njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë dhe thotë se Kurti ka hequr dorë nga njohja.
“LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti dhe e institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës.”, thotë paragrafi.
Nuk dihet nëse kjo është një shenjë që tregon mospajtime brenda LDK-së për qasjen ndaj propozimit evropian për zgjedhjen e problemit midis Kosovës dhe Serbisë, apo është thjesht rastësi.