Vazhdojnë aktivitetet diplomatike të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për zgjidhjen e situatës në Kosovë. “Serbia nuk heq dorë nga Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, i tha Vuçiq ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Serbi, Christopher Hill, si dhe ambasadorit të Britanisë së Madhe, Shon McLeod.
A është arritur tashmë marrëveshja dhe çfarë ndryshon nga plani i Ahtisaarit, i cili quhej “Propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës”?
Derisa kryeministri Albin Kurti po ua dorëzon raportin nga Brukseli deputetëve në Kuvendin e Kosovës, presidenti serb Aleksandar Vuçiq po ua dorëzon raportin e parë ambasadorëve, raporton televizioni i pavarur serb, N1, transmeton Demokracia.com.
“E njoftova ambasadorin Hill për raundin e fundit të bisedimeve në Bruksel. U pajtuam që formimi urgjent i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është i një rëndësie prioritare, por edhe se duhet shumë përpjekje, punë dhe diskutime për zgjidhjen e problemeve të akumuluara në jetën e përditshme në Kosovë”, tha Vuçiq.
Askush nuk ka shpjeguar ende në detaje se çfarë do të marrin serbët në Kosovë nga formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç është emri zyrtar që Brukseli e përdor për këtë mekanizëm. Plani është i pranueshëm për të dyja palët, kështu tha të hënën përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell. Analistët serbë vlerësojnë se plani është e pranueshme për Serbinë pikërisht se nuk përmendet statusi përfundimtar i Kosovës.
“Plani i negociatave të Ahtisaarit nën treshen Ahtisaari, Rohan dhe Wisner, u prish në momentin që u ngritën çështjet e statusit. Kjo marrëveshje, e cila është një hap përpara në aspektin e përmbajtjes, e kornizon çështjen e statusit, e redukton në atë që Ahtisaari e ka dashur dhe personalisht e ka thënë si pavarësi të kushtëzuar, por e shtyn atë. Ne kemi njohje të realitetit që është prodhuar në bazë të Ahtisaarit, por nuk do ta diskutojmë”, ka thënë analisti serb Dushan Janjiq. /Demokracia.com/