Deputeti holandez i Parlamentit Europian, Thijs Reuten, kritikoi ashpër presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që refuzoi të nënshkruante propozimin europian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Ai e konsideron këtë qëndrim të Vuçiqit zhgënjyes dhe të pritshëm.
“Refuzimi i turpshëm i Vuçiçit për të nënshkruar marrëveshjen e normalizimit me Republikën e Kosovës, të cilën ai ‘e pranoi’ të hënën, sugjeron qartësisht se Serbia po luan me kohën. Metodat e buta duhet të marrin fund. Karrotat kanë dështuar. Nxirrni shkopinjtë”, shkruan eurodeputeti në profilin e tij në Twitter.
Ndërkohë, edhe më herët, ligjvënësit holandezë kanë kërkuar dënimin e Serbisë për qasjen agresive ndaj Kosovës dhe për mos-dënimin e luftës së Rusisë në Ukrainë përmes sanksioneve.
Madje është kërkuar që Serbisë t’i ndalohet anëtarësimi në BE dhe t’i rikthehet regjimi i vizave.
Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pritën të hënën në Bruksel udhëheqësit e këtyre dy vendeve.
Në tryezën e bisedimeve ishte propozimi i BE-së, i titulluar “Marrëveshje drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.
Në deklaratën e lëshuar pas takimit, Borrell tha se palët shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
“Nevojiten negociata të mëtejshme për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit të dispozitave”, tha Borrell, duke paralajmëruar takimin e radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin mars.