Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur për planin franko-gjerman, konkretisht për pikën ku kërkohet të tejkalohet e kaluara nga pala kosovare dhe ajo serbe.
Bislimi në një intervistë për RTK-në sqaroi se fjala anglisht “overcome” (fjalëpërfjalshëm tejkalim) nuk nënkupton tejkalimin, shkruan Demokracia.com.
“Tash, fjala në gjuhën angleze nuk është për të kapërcyer, por “overcome”, e cila pastaj ku ka vullnet për interpretim jo-adekuat të marrëveshjes, mund të interpretohet në kapërcim, falje. Por, ajo çfarë është menduar është të adresohet e kaluara”, deklaroi ai.
“Jo vetëm për të treguar, por edhe me u marrë me pasojat që burojnë nga e kaluara. Unë mendoj që do të ishte kulmi i seriozitetit ku në njërën anë Kosova të trajtohet si palë e barabartë dhe të themi që sot po e harrojmë vuajtjen. Vetë ideja që dikush të interpretohet në këtë mënyrë është paradoksale dhe absurde”, vijoi më tej ai.
Në preambulën e marrëveshjes thuhet tekstualisht: “Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës…”. /Demokracia.com/