Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, rolin e presidentit në Republikën e Kosovës dikur e përshkruante si ceremonial. Me këtë qëndrim po përkojnë edhe sjelljet e presidentes Vjosa Osmani, e cila rri indiferente karshi ngjarjeve të mëdha politike, sikurse ajo e djeshmja në Bruksel.
As Osmani e as Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, të cilët përfshihen në “treshen shtetërore” të lidershipit, nuk kanë thënë asnjë fjalë të vetme lidhur me takimin e djeshëm në Bruksel ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, shkruan Demokracia.com.
Ndonëse që të dy e kundërshtojnë zëshëm nëpër studio televizive e media huaja çështjen e “Zajednicës”, ende nuk është parë as hija e qëndrimit institucional nga dy krahët e Kurtit.
Përgjatë ditës së djeshme, kryeministri Kurti në një prononcim për media pas takimit në Bruksel u deklarua për media se “Zajednica” ishte në pikën e 10-të të planit franko-gjerman. Këtë Kurti e pranoi për herë të parë në Bruksel, ndonëse qëndroi i heshtur përpara “Tempullit të Demokracisë” kur u pyet nëse i ashtuquajturi “Bosnjëzim i Kosovës” përfshihej në planin evropian.
“Për Asociacionin është neni dhjetë fjalia e fundit e nenit të fundit. Për këtë jam përgjigjur. Është koha të mos jap unë interpretime dominuese pikërisht në momentin kur teksti mund të lexohet nga gjithë”, deklaroi ndër të tjera shefi i ekzekutivit kosovar.
Pika e 10-të e marrëveshjes, e cila është vendosur në qendër të diskutimeve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, sipas kryekuvendarit Konjufca, nuk do të ndodhte kurrë.
“Unë mendoj që jo; nuk do të bëhet. Kosovës nuk i duhet kurrëfarë Asociacioni – As kësi e as asi – sepse, nëse është Bashkim i Komunave Serbe në çfarëdo mënyre, unë mendoj që nuk duhet të ndodhë kurrë, kështu besoj që edhe do të jetë”, deklaronte ai nga studiot televizive.
Në anën tjetër, Osmani i thoshte “Zajednicës” një Republika Srpska e re dhe deklaronte se një e tillë është edhe në dëm të BE-së.
“Këto janë parimet tona, ne vazhdimisht e shpjegojmë para partnerëve se sa më rëndësi është që të mos shkojmë përtej kësaj sepse nuk është në interes të askujt, më së paku të Kosovës, por as të rajonit si tërësi e as të BE që të kemi ndonjë ‘Republika Srpska’ apo modele të ngjashme që nuk kanë funksionuar dhe nuk do të funksionojnë sepse më shumë krijojnë probleme sesa qetësi e paqe e stabilitet”, thoshte ajo.
Ani pse Kurti e Vuçiq e akuzuan njëri-tjetrin për mos-gatishmëri të dialogimit, Përfaqësuesi i Lartë i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, njoftoi që të dyja palët janë pajtuar për marrëveshjen.
Më 18 mars pala kosovare dhe ajo serbe pritet të takohen në Maqedoninë e Veriut për finalizimin e planit evropian. /Demokracia.com/