Partia Socialdemokrate (PSD) pas aksionit simbolik kundër takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel, ka bërë thirrje edhe për protesta kundër Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka bërë thirrje protestë kundër Qeverisë sepse kundër Asociacionit.
Njoftimi i plotë:
THIRRJE
Protesta kundër Qeverisë sepse kundër Asociacionit.
Aktivistë e qytetarë,
ju që mbushët sheshet me protesta dhe bllokuat Asociacionin;
Ju që organizuat mijëra tubime kundër Asociacionit;
Ju që shkelët me këmbë çdo pëllëmbë të Kosovës për t’i mbledhur 200 mijë nënshkrime;
ju 200 mijë qytetarë që me vetëdije e vullnet firmosët kundër ndarjes etnike;
ju që denjuat burgun dhe sollët protestën brenda Kuvendit;
E di që shumë prej jush keni besuar vërtet që Kurti nuk e bën Asociacionin; shumë keni vlerësuar që kritika jonë është subjektive dhe lidhet me “hesapet” tona; tashmë s’ka vlerësime as analiza; ora kritike po vjen, marrëveshja që na pret në Bruksel është pa njohje dhe me Asociacion në qendēr; aty është orari dhe mënyra e zbatimit.
Askush nuk ka mandat për Asociacionin. Rezistenca ishte shoqërore. Nuk jemi angazhuar për t’i ndërruar fytyrat që e zbatojnë Asociacionin. Nese ka ndodhur që pushteti është tjetërsuar aq pakthyeshëm, atëherë zgjedhje ose referendum. Përndryshe, protesta në rrugë. Kundër Qeverisë sepse kundër Asociacionit.