Aq e keqe dhe e rrezikshme ishte për Republikën e Kosovës, Zajednica e komunave me shumicë serbe, sa që për opozitarin Albin Kurti dhe partinë e tij, Vetëvendosjen, emërtimi i saj në shqip apo anglisht (Asociacioni/Bashkësia) ishin të ndaluar. Përmes emërtimit në serbisht, Kurti po tregonte se ajo ishte e favorshme vetëm për Serbinë, por kurrsesi për Kosovën.
Prandaj, kudo që shkonte Albin Kurti, Asociacionit/Bashkësisë, Albin Kurti e quante vetëm Zajednicë.
Kështu kishte ndodhur edhe në njërën nga paraqitjet televizive të Kurtit. Në një rast, drejtuesi i emisionit Opinion, Blendi Fevziu e pyet atë se “Çka do të thotë Zajednica?”, i cili mori përgjigje të menjëhershme.
“Serbisht do të thotë Bashkësia. Mirëpo, ne nuk e quajmë shqip sepse fjala Bashkësi është fjalë shumë e bukur shqipe. Po ta qush bashkësi, disi e e shqiptarizon që është e padrejtë”, u arsyetua Kurti.
Por, me ardhjen e Kurtit në pushtet, ndryshoi edhe qasja e tij për Zajednicën, të cilën nuk e quante më me emrin në serbisht, por i referohej vazhdimisht si Asociacion, duke filluar dalëngadalë të heq dorë nga pozicioni i tij kundërshtues.