Lajme
Një popull i ‘nënshtrohet’ një njeriu: As partitë kryesore opozitare, as VV-ja s’kanë qëndrim preciz për takimin e sotëm
Demokracia
11:26 | 27 Shkurt 2023

Share:

Duket se… duhet t’i besojmë një njeriu të vetëm për një çështje prej të cilës mund të përcaktohet fati i një populli për dekadat që po vijnë. Përkundër që, sot mbahet takimi i madh i 27 shkurtit në të cilin BE-ja pret ‘zyrtarizim’ të pranimit të propozimit të saj (bazuar në planin franko-gjerman).

Vetëvendosje po proteston nga Prishtina e në Gushavc të Mitrovicës kundër Asociacionit. Megjithatë, nuk ka qëndrim të prerë mbi propozimin evropian (planin franko-gjerman) megjithëse mund të kuptohet se qëndrimi i Kurtit është edhe qëndrimi i tyre. PDK-ja vazhdon të flirtojë me “JO”-në, edhe pse vazhdon të kërkojë dëgjueshmëri ndaj bashkësisë ndërkombëtare. LDK-ja është paksa më e guximshme në paraqitjen e qëndrimit. Ndërkohë, AAK-ja është e vetmja që i ka dhënë një “PO” të fortë propozimit.

LDK-ja

Kryetari i këtij subjekti politik, Lumri Abdixhiku, në mënyrë të qartë e ka kritikuar propozimin në fjalë duke e bërë fajtor kryeministrin Kurti se kishte rënë në grackat e Serbisë gjatë vitit 2022.

Ata kritikojnë përmbajtjen e marrëveshjes: ajo nuk është përfundimtare, dhe nuk e jep njohjen nga Serbia.

Por, megjithatë guximi i kësaj partie duket se përfundon këtu. Deri tash, asnjë eksponent i lartë i kësaj partie nuk ka inkurajuar Kurtin që të kundërshtojë propozimin në fjalë dhe të mos zyrtarizojë pranimin e tij.

Kjo më së miri ilustrohet nga një status i djeshëm i z. Lutfi Haziri, përfaqësues i kësaj partie për dialogun Kosovë-Serbi.

Haziri shkruante dje që “Nëse krijohet Asociacioni pa njohjen nga Serbia, atëherë i bie që Kosova po jep gjithçka, për kurrgjë.”

Por, në pjesën e mëposhtme të fjalës së tij, ai bëhet ‘i mistershëm’.

“Do ta ketë nesër ditën për ta dëshmuar se cili Kurt do të jetë në funksion – Kurti opozitar, kryeministër kundërshtues apo Kurti pranues e ndarës de jure i një pjese të Kosovës. A do të mbetet Mister NO apo jo, do të provohet për herë të parë nesër.” – përmbyll fjalën e tij konfuze Haziri.

Kjo lë të kuptohet se Kurti duhet të mos nënshkruajë pasi Kosova nuk merr kurrgjë, por në anën tjetër lë të kuptohet edhe se Kurti duhet të nënshkruajë që të mos mbetet “Mister No”.

PDK-ja

Kryetari i kësaj partie politike, po ashtu shkroi dje në lidhje me këtë çështje. Për mungesën e njohjes, ai e fajësoi në mënyrë direkte kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“…nga ajo që është parë deri tash, plani në vetëvete nuk përmban pothuajse asnjë përfitim konkret për Kosovën…” – thotë mes tjerash z. Krasniqi.

Por, megjithatë ai nuk bën hapin tjetër të madh për t’i dalë haptas kundër propozimit e për t’i dhënë këshillën Kurtit se çka të bënte në takimin e sotëm.

Por, edhe më mirë ky konfuzitet sqarohet nga Behgjet Pacolli.

Deputeti opozitargjatë ditës së djeshme shkroi në llogarinë e tij në Facebook disa fjalë të cilat i shoqëroi me dy harta të Kosovë që ishin montuar nga Lëvizja Vetëvendosje. “Kosova me Zajednicë,” – ishte në njërën anë. Në tjetrën ishte “Kosova pa Zajednicë”.

Ish-presidenti madje edhe mes fjalëve e kishte përdorur fjalën Zajednicë, përkundër që ajo nuk përdoret më as nga Albin Kurti si dikur, shkruan Nacionale.

Pacolli shkruan se si Kosova po e jepte Asociacionin, thjesht në këmbim të kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës duke e bërë me faj për një gjë të tillë Albin Kurtin.

“Siç mund ta shihni, nënshkrimi i kësaj marrëveshje është krejtësisht në kundërshtim me atë që dikur kishte premtuar Kryeministri Albin Kurti, sa ishte në opozitë.” – shkruan mes tjerash Pacolli.

Por, përkundër që paraqet të këqijat në mënyrë të tërthortë, Pacolli inkurajon Kurtin që sot të hedh nënshkrimin e tij.

VV

Në anën tjetër, eksponentë të shquar të Vetëvendosjes po ashtu nuk janë shprehur qartë për takimin e 27 shkurtit. Ata duket se kanë vendosur që t’i japin mbështetje të pakushtëzuar kryeministrit Albin Kurtit, pavarësisht nga ajo që mund të ndodhë sot në Bruksel.

Ata gjatë mëngjesit të sotëm e kanë nisur një fushatë me një thurje “#Mekryeministrin” në rrjetin social më popullor në Kosovë, Facebook.

Të ngjashme