Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq e ka propozuar atë si kandidat të partisë për president në zgjedhjet e ardhshme, njofton DPS në Twitter.
Vendimi u mor gjatë mbledhjeve që kjo parti ka mbajtur më 24 shkurt. Gjukanoviq mori mbështetje unanime nga partia e tij për të hyrë në garë për një mandat të ri pesëvjeçar në krye të shtetit. Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi janë caktuar për 19 mars dhe kandidatët duhet të dorëzojnë aplikimet për të marrë pjesë në zgjedhje deri më 26 shkurt në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Gjukanoviq është zgjedhur për herë të parë president në vitin 1997 dhe këtë postë e ka ushtruar deri në vitin 2003. Ai po ashtu fitoi mandatin e dytë si president në zgjedhjet e prillit të vitit 2018.
Gjatë mandatit të tij si president, ka nisur procesi i anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, ndërkaq në kohën sa ishte kryeministër, Mali i Zi në vitin 2017 u bë anëtar i NATO-s.
Deri tash, kandidatët e konfirmuar për zgjedhjet presidenciale janë lideri i Frontit Demokratik pro-rus, Andrija Mandiq dhe zëvendëskryetarja e Partisë Socialdemokrate, Draginja Vuksanoviq- Stankoviq Ndërkohë, është paralajmëruar se në zgjedhjet presidenciale do të garojnë edhe Aleksa Beçiq, Jamov Millatoviq dhe Goran Danilloviq.