Lajme
Ish-kryeprokurori shpjegon hetimet për rastin Dehari: Pasi përfundoi raporti, thamë se është vetëvrasje
Demokracia
21:35 | 21 Shkurt 2023

Share:

Ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, ka shpjeguar në detaje se cilat ishin veprimet e kësaj prokurorie në momentin kur e kishte marrë lajmin se ka vdekur ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, më 5 nëntor të 2016-s.

Dehari kishte vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Që nga ajo kohë e gjer më tash, hetimi i vdekjes së tij kishte marrë kahje të ndryshme.

Madje, ishin kërkuar ekspertiza të shumta vendore e ndërkombëtare. Megjithatë, Hoxha tha se e ka thirrur Policia atëkohë, teksa kishte qenë në Prevallë, kur kishte ndodhur vdekja e Deharit.

Ai tha se ka shkuar në vendngjarje dhe i ka angazhuar hetuesit që të merren me rastin.

Po ashtu, Hoxha u shpreh se kurrë nuk ka thënë se është vrasje e as vetëvrasje, vdekja e Astritit, para se të kryen raportet e hetimeve në këtë rast.

“Më kanë thirrë Policia, kam qenë duke u kthyer prej Prevallës, ka qenë vikend. Kanë thënë se s’un po e marrim në telefon prokurorin kujdestar, kështu ka ndodhur një rast. Unë tash vij. Kam shkuar dhe i kam angazhuar hetuesit. Do të merren të gjitha veprimet hetimore. Kanë ardhur njësiti i krimeve të rënda prej Prishtinës. I kanë marrë ato veprime dhe unë prej ditës së parë kam thënë s ekjo është një vdekje e dyshimtë. S’kam thënë as vrasje, as vetëvrasje”, tha ai në Klan Kosova.

Mes tjerash, Hoxha u shpreh se prokurori i çështjes i ka bërë hetimet.

“Familjarët e Astritit kanë kërkuar një ekip shtesë të ekspertëve për autopsi, i kemi pritur disa ditë dhe kanë ardhur. Një ekspert ka qenë nga Shqipëria, Londra dhe një profesoreshë prej Prishtinës. Edhe kryeprokurori i Shtetit atëherë ka thënë ‘Sylë, nëse keni mundësi me shku me marrë pjesë në autopsi’. Unë kam shkuar dhe kam marrë pjesë si kryeprokuror, ka qenë edhe avokati i familjes dhe këta ekspertë”, shtoi Hoxha.

Për Hoxhajn, “kur është kryer autopsia dhe ekspertët të cilët e kryen autopsinë, na dhanë një njoftim se po dyshohet për asfiksi, mirëpo rezultati përfundimtar para disa ditëve”.

“Kanë qenë pjesëtarë të LVV-së, disa, njo 20, në sallë. Sepse, e mbajtëm si konferencë apo njoftim, ishin hetuesit edhe këta ekspertët. Pastaj, mjeku që erdhi nga Londra i falënderoi kolegët e vet të IML-së, tha unë kam marrë pjesë në mijëra autopsi, autopsi më transparente nuk kam parë. Pastaj ka dalë raporti. Në bazë të hetimeve kemi thonë se bëhet fjalë për vetëvrasje”.

Në anën tjetër, Hoxha tha se ky rast prej fillimit ishte politizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Të ngjashme