Lajme
Dy herë i hetuar për korrupsion në ShBA: Kush është senatori që e kritikoi Cholletin e që po citohet nga VV-ja?
Demokracia
11:39 | 18 Shkurt 2023

Share:

Lëvizja Vetëvendosje e ka gjetur tashmë yllin e saj në politikën amerikane. Ai ka emër dhe mbiemër: Robert Menendez. Senatori dhe kryetari i Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme në Senatin e ShBA-së, Robert Menendez, i cili ka thënë se nuk pajtohet me qëndrimin e këshilltarit të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, për domosdoshmërinë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është hetuar dy herë në ShBA nën dyshimin për korrupsion. Kush është Robert Menendezi?

Para se të lexoni për karrierën e tij politike, fillimisht pak kontekst rreth kritikave të Menendezit për Cholletin rreth trysnisë për Asociacionin.

Shqetësohem kur pash Cholletin… Lexova shkrimin e fundit dhe komentet e tij. Kjo s’është ajo që duhet të jetë politika e jashtme e SHBA-së referuar Kosovës dhe si merremi me Ballkanin Perëndimor. Neve na duhet paqe afatgjate dhe ajo s’mund të arrihet në vendime të këqija afatshkurtra”, ka thënë ai duke paralajmëruar se në Komitetin që udhëheq do të organizojë një seancë për çështjen e Ballkanit për të diskutuar për këtë çështje.” – deklaroi Menendez.

Mjaftuan këto fjalë që ai të citohet gjerësisht nga aktivistë të LVV-së, përfshirë edhe Elvis Hoxhën, anëtarin e kryesisë së LVV-së, e Sadri Ramabajën, aktivistin e devotshëm të partisë së Kurtit.

Menendezi është senator nga New Jersey dhe e ushtron këtë detyrë që nga viti 2006. Ai është anëtar i Partisë Demokratike të presidentit Joe Biden. Si kryetar i Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme ka shërbyer nga viti 2013 deri më 2015 dhe pastaj përsëri nga viti 2021. Ka qenë edhe anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve nga viti 1993 deri më 2006.

Senatori Menendez është hetuar dy herë për korrupsion: një herë në vitin 2015, kur edhe ishte ngritur një aktakuzë kundër tij, siç raporton gazeta e njohur britanike, “The Guardian”, dhe përsëri vitin e kaluar, siç raporton televizioni amerikan, CNN, përcjell Nacionale.

Në vitin 2015, senatori Menendez akuzohej se kishte drejtuar një skemë me një mjek të syve, në të cilën politikani e kishte shfrytëzuar ndikimin e tij në këmbim të udhëtimeve me aeroplanin privat të mjekut Salomon Melgen, i dënuar me 17 vite burgim për mashtrim me programet e kujdesit shëndetësor.

Prokurorët amerikanë kishin thënë se Menendezi u kishte bërë presion zyrtarëve qeveritar në emër të oftalmologut për një mosmarrëveshje të faturave të programit “Medicare” dhe për një kontratë për ofrimin e pajisjeve të skanimit në port si dhe se kishte dhënë ndihmë oër t’u siguruar viza amerikane të dashurave të mjekut. Prokurorët kishin thënë, gjithashtu, se Menendezi kishte pranuar mbi 600 mijë dollarë kontribute politike.

Megjithatë, rasti kundër senatorit ishte hedhur poshtë në vitin 2017. Trupi gjykues ishte në ngërç dhe nuk mund të merrte vendim për këtë rast. Sidoqoftë, një anëtar kishte thënë se 10 anëtarë ishin për lirimin e senatorit nga akuzat, ndërsa vetëm dy kundër kësaj mase.

Televizioni amerikan, “NBC News”, raportoi në tetorin e vitit të kaluar se senatori Menendez është përsëri nën një hetim kriminal federal nga Zyra e Prokurorit në Manhattan, duke cituar dy persona me njohur për këtë çështje dhe zëdhënësin e senatorit.

“Senatori Menendez është i vetëdijshëm për një hetim që është raportuar sot. Megjithatë, ai nuk e di fushëveprimin e hetimit”- tha në tetor përmes një deklarate këshilltari i tij, Michael Soliman. “Senatori është i gatshëm për të ofruar çfarëdo asistence që kërkohet nga ai ose nga zyra e tij”- shtoi ai.

Një zëdhënës i Zyrës së Prokurorit për Distriktin Jugor të Nju Jorkut kishte refuzuar që ta komentonte hetimin.

Të ngjashme