Lajme
Ri-zbulohet bima e kafesë që konsiderohej e zhdukur, e cila do të jetë e ardhmja e kafesë cilësore
Demokracia
16:38 | 20 Prill 2021

Share:

Shkencëtarët thonë se një bimë kafeje e “harruar” që mund të rritet në kushte më të ngrohta mund të ndihmojë në mbrojtjen e të ardhmes së kësaj pije.

Teksa temperaturat rriten, kafeja e mirë do bëhet gjithnjë e më e vështirë për tu rritur dhe sipas studimeve mendohet se deri në vitin 2050, rreth gjysma e tokës së përdorur për kafe të cilësisë së lartë do të jetë joproduktive, informon Demokracia.com.

Kafeja “Stenophylla”, një kafe e rrallë e egër nga Afrika Perëndimore që ka shije si kafeja Arabica, por rritet në kushte më të ngrohta do të jetë shpëtimi i së ardhmes së kafesë cilësore.

Shkenctarët ishin të mahnitur nga shija e shkëlqyeshme që kishte kjo kafe e egër, që e dallon shumë nga kafetë e tjera të egra të cilat nuk kanë aspak shije të mirë.

Kafeja stenophylla deri vonë mendohej të ishte zhdukur jashtë Bregut të Fildishtë, derisa bima u ri-zbulua në Sierra Leone, ku u rrit historikisht si kulturë kafeje rreth një shekull më parë.

Një mostër e vogël e kokrrave të kafesë nga Sierra Leone dhe Bregu i Fildishtë u pjekën dhe u bënë kafe, e cila më pas u provua nga një panel njohësish kafeje dhe mbi 80% e gjykatësve nuk mund të vërenin dallimin midis Stenophylla dhe kafesë më të njohur në botë, Arabica, të cilët gjithashtu konstatuan se kjo bimë mund të rritet në temperaturë rreth 6 gradë më të larta se Arabica.

Fidanët e kësaj kafe do të mbillen këtë vit në mënyrë që të fillojnë të vlerësojnë potencialin e kafesë së egër në ruajtjen e së ardhmes së kafesë me cilësi të lartë.

Dr Davis shpreson që Stenophylla një ditë do të rritet përsëri në Sierra Leone në një shkallë të madhe.

Çfarë është kafeja Arabica?

Kokrrat Arabica vlerësohen se kanë një shije superiore. Kafeja rritet në male dhe përbën mbi 60% të prodhimit të kafesë në botë.

Arabica ka qëndrueshmëri të kufizuar ndaj ndryshimeve klimatike; fermerët tashmë janë duke përjetuar ndikimet e temperaturave të ngritura dhe reshjeve të ulëta.

Ku gjendet kafja e egër?

Pjesa dërrmuese e kafesë së egër rritet në pyjet e largëta të Afrikës dhe në ishullin e Madagaskarit. Përtej Afrikës, kafeja e egër gjendet në klimat e tjera tropikale, duke përfshirë pjesë të Indisë, Sri Lanka dhe Australisë.

Çfarë llojesh kafe pimë?

Më shumë se 100 lloje të pemëve të kafesë rriten natyrshëm në pyje, por vetëm një pjesë e vogël përdoren për të pirë.

Industria globale e kafesë dominohet nga dy kulturat kryesore të kafesë – Arabica (Coffea arabica) dhe Robusta (Coffeea canephora).

Një specie e tretë – Liberica (Coffea liberica) është rritur në të gjithë botën, por përdoret rrallë për pije kafeje. /Demokracia.com/

Të ngjashme