Lajme
DOKUMENTE| Donika Gërvalla planifikon të blejë mijëra euro filxhanë, gota e lugë në Turqi
Demokracia
15:24 | 28 Janar 2023

Share:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka vendosur që të blejë filxhanë, gota e lugë.

Por, duket se ministrja Donika Gërvalla-Schwarz dhe shefi i kabinetit të saj, Sharr Jakupi, kanë kërkesa shumë më të mëdha se ato që i ofron tregu i Kosovës.

Demokracia.com ka siguruar një kërkesë që Jakupi i ka drejtuar zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm të MPJD, Behar Isma, e cila është aprovuar nga ky i fundit.

“Përmes kësaj shkrese ju kërkoj të aprovoni kërkesën për blerjen e gjësendeve si të përshkruar në ofertën e bashkëlidhur. Blerja e këtyre gjësendeve në Turqi është e nevojshme për arsye se blerja në Kosovë me specifika të kërkuara është e pamundur. Gotat dhe lugët, sit ë përshkruara në ofertë, duhet porositur për nevoja të Ministrisë.”, thuhet në kërkesën e Jakupit për Ismën.

Demokracia.com ka pyetur në MPJD lidhur me këtë kërkesë, se çfarë specifika po i kërkojnë për enët që nuk gjenden në Kosovë. Por, më nuk është as lajm që MPJD është totalisht jotransparente dhe as që përgjigjet në interesimin e gazetarëve.

Përkundër se MPJD vazhdon të jetë e mbyllur dhe nuk u jep taksapaguesve të varfër të Kosovës asnjë shpjegim se ku shkojnë paratë e tyre, Demokracia.com i ka siguruar tri proforma të faturave që MPJD ka marrë nga disa biznese turke për blerjen e gotave, filxhanëve e lugëve.

Në këto proforma të faturave shihet se Donika Gërvalla-Schwarz mund të paguajë deri në 50 euro për një gotë, para këto nga xhepi i kosovarëve të varfër që po përballen me inflacion e rritje të çmimeve të produkteve elementare e së fundmi edhe tatimit në pronë.

Njëra prej proformave të faturave të marra nga MPJD është nga kompania “Ara”.

Kjo kompani ia ka faturuar MPJD-së për 50 lugë të çajit, 50 gota uji, 50 filxhanë të makiatos dhe 50 filxhanë të kafesë gjithsej 2 mijë e 497 euro e 50 centë.

Kjo kompani ia ka faturuar ministrisë së Gërvallës, 50 lugë të çajit për 202 euro e 50 centë apo 4 euro e pesë centë për një lugë.

Nëse MPJD i blen enët në këtë kompani, 50 gota do të blihen për 395 euro apo 7 euro e 90 centë për një gotë.

Një filxhan i makiatos në ofertë është ofruar për 18 euro, që i bie se 50 filxhanë të makiatos do të kushtojnë 900 euro.

Filxhanët e kafesë nga kjo kompani janë ofruar për 1 mijë euro apo 20 euro për një copë.

Ndërsa, proforma e faturës që MPJD ka marrë nga kompania “Desen” për 50 filxhanë të makiatos, 50 gota uji, 50 lugë dhe 50 filxhanë kafeje kushton gjithsej 2 mijë e 801 euro.

Një filxhan makiatoje nga kjo kompani do të kushtojë 18 euro, ndërsa për 50 copa MPJD mund të paguajë 900 euro.

Një gotë uji kjo kompani e ka faturuar për 9 euro e gjysmë apo 475 euro për 50 copë, shkruan Demokracia.com.

Në proformën e faturës përfshihen edhe 50 lugë për 145 euro apo 2 euro e 90 centë për një lugë.

Gjithashtu, aty përfshihen edhe 50 filxhanë kafeje për 1 mijë e 281 euro, apo 25 euro e 62 centë për një copë.

Ndërkaq, proformë të faturës, MPJD ka marrë edhe nga kompania “Sezer”. Kjo kompani i ka ofruar MPJD-së produkte në vlerë 2 mijë e 140 euro.

Aty përfshihen 50 filxhanë të makiatos që do të kushtojnë 715 euro apo 14 euro e 30 centë për një filxhan.

Po ashtu, 50 filxhanë të kafes thuhet se do të kushtojnë 915 euro ose 18 euro e 30 centë për një filxhan.

50 gota uji nëse MPJD do t’i blejë nga kjo kompani do të kushtojnë 375 euro ose 7 euro e gjysmë për një gotë. Lugët, MPJD në këtë kompani do t’i kushtojnë 135 euro ose 2 euro e 70 centë për një lugë. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme