Automjeti zyrtar i Policisë së Kosovës është sulmuar me armë zjarri në Zveçan pasditen e së premtes.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar Policia e Kosovës me anë të një komunikate për media, teksa ka bërë të ditur se nuk raportohet për ndonjë zyrtar policor të lënduar.
Nga policia tregojnë se sulmi ishte koncentruar në anën e majtë të veturës, përkatësisht në zonën e shoferit të automjetit.
“Fatmirësisht nuk raportohet për zyrtar policor të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në veturën zyrtare të Policisë së Kosovës, përkatësisht në dritaren/xhamin e automjetit zyrtar nga ana e majtë e vozitësit, i cili dyshohet të ketë qenë edhe cak i sulmit me armë zjarri”, thuhet në komunikatë.
Policia pas rastit ka arritur të identifikojë një veturë të braktisur të tipit xhip-Opel në rrugë malore në distance prej 250 metrash largësi dhe automjeti është konfiskuar për çështje hetimore.
“Në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti, vrasje në tentativë dhe sulm ndaj personit zyrtar”, thuhet në njoftim. /Demokracia.com/