Lajme
Ministrisë së Rashiqit i kushton metri i drunjve 33 euro më shtrenjtë
Demokracia
11:01 | 10 Janar 2023

Share:

Ministria për Komunitete dhe Kthim së fundmi është furnizuar me 12 metra drunj, të destinuara për katër familje në nevojë. Mirëpo, çmimi i metrit të drunjve nuk korrespondon me atë çfare është në treg.

Një metër dru, ministrisë ku po shërben si udhëheqës i dikasterit Nenad Rashiq, i ka kushtuar 83 euro. Kështu të paktën figuron në dokumentin e kontratës së nënshkruar nga ky dikaster, të siguruar nga Demokracia.com.

Me përzgjedhjen e çmimit më të ulët vlera e përgjithshme e kontratës, së fituar nga operatori ekonomik “Milazim Bejta B.I”, figuron të jetë 996 euro.

Vlera e parashikuar e kontratës, sipas dokumentit, është 999 euro.

Mediumi është interesuar për arsyen e blerjes së kësaj lënde djegëse, teksa nga ky dikaster kanë bërë të ditur shkurtazi se drutë janë të destinuara për katër familje dhe jo për nevoja të ministrisë.

Kontrata, sipas dokumentit të siguruar nga mediumi, është nënshkruar më 23 dhjetor.

Që nga 23 dhjetori, sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, metri i drunjve ka kushtuar 50 euro. Ky çmim ka mbetur i njëjtë në tërë muajin dhjetor për drunjtë e llojit të ahut.

Në kontratë nuk sqarohet nëse në kuadër të këtij çmimi përfshihen edhe shërbime të tjera, përveç atij të furnizimit.

Operatorët e tjerë ekonomik që kanë konkurruar për tenderin në fjalë kanë ofertuar mjetet financiare si në vijim: 1,014 euro dhe 1,020 euro. /Demokracia.com/

Të ngjashme