Lajme
Frikë nga loja e Kurtit: Pse opozita s’e ka dërguar ende Ligjin e Pagave në Kushtetuese?
Demokracia
16:35 | 08 Janar 2023

Share:

Është kundërshtuar me të madhe Ligji për Pagat, por deri më tani asnjëra nga partitë politike opozitare nuk kanë marrë guximin që atë ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese. U tha se ishte Ligj “anti-kushtetuese”, “mashtrim tjetër i radhës” dhe “kryeministri ia ka rritur pagën vetës”, e të tjera deklarata kundërshtuese, por veprim nuk ka pasur. Çka po ndodh me këtë çështje?

Partitë opozitare, PDK, LDK e AAK, pas miratimit të Ligjit për Paga në Kuvendin e Kosovës kishin kundërshtuar e kritikuar pushtetin se kanë miratuar një Ligj anti-Kushtetuese, por të cilin nuk po e dërgojnë në Kushtetuese për të kuptuar nëse me të vërtetë është i tillë.

Nacionale brenda opozitës mëson se Ligji nuk po dërgohet në Kushtetuese për shkak se pushteti do t’i kundërvihej duke thënë se opozita po bllokon rritjen e pagave për të punësuarit në sektorin publik.

Por çka po pret opozita për Ligjin për Paga?

Mediumi e ka pyetur deputetin e PDK-së, Ferat Shalën, se a pritet të dërgohet në Kushtetuese Ligji për Paga? I njëjti na tha se mendimi i tij është që të dërgohet në Kushtetuese, por qëndrim zyrtar të PDK-së nuk ka.

Shala si deputet i Kuvendit të Kosovës ka thënë se Ligji për Pagat është anti-kushtetuese.

Ai tutje ka shtuar se problemi kryesor qëndron te vlera e koeficientit e cila nuk dihet ende. Qeveria po luan me pagat e të gjithë atyre që presin rritje page nga ky Ligj.

“Qëndrimin e partisë nuk mundem me dhanë sepse jam veç një deputet. Ligji për mu është antikushtetues, ligji ka shkelje, vetëm një fakt mjafton se ne ende nuk e dimë se sa është koficienti i tij, vlera e tij. Pra loja politike që qeveria po bën me ndjenjat e gjithë atyre që presin ligjin është e pasinqertë dhe joligjore. Askush nuk e di sa është vlera e koficientit, pra është miratuar një ligji i cili parimisht është në dorën e një grupi politik që vendosë me fatin e kategorive të caktuar.” – ka thënë ai.

Në anë tjetër, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami për Nacionalen theksoi se si parti janë në pritje të mësojnë vlerën e koeficientit.

“Ngritjen e pagave po e presim me padurim dhjetëra mijëra shërbyes civil, duke pritur që pagat e tyre të paktën të indeksohen për vlerën e inflacionit, tanimë kur secili e di që paga është zhvlerësuar së paku 20%. Duke marrë parasysh faktin që ende nuk dihet vlera monetare e koeficientit është vështirë të dihet se cilat kategori janë dëmtuar dhe sa janë dëmtuar ato. Andaj LDK do të pres caktimin e koeficeintit për të bërë analizën e duhur të Ligjit dhe për të vendosur nëse i njëjti duhet të kundërshtohet në Kushtetuese.” – ka thënë ajo.

Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, menjëherë pas votimi të Ligjit kishte thënë se ka terr informativ dhe manipulim i radhës, por nuk kishte thënë se do të dërgohet në Kushtetuese.

“E tash që kaloi Ligji i Pagave, a ka dikush në qeveri që mundet me na tregu sa është rroga e një zyrtari të shtetit? Terr informativ, manipulim dhe siç po duket edhe një mashtrim i radhës. Folni mos heshtni tash!” – kishte shkruar Tahiri në Facebook.

Ai gjatë ditës së djeshme u tregua edhe më specifik duke kërkuar që vlera e koeficientit të ishte 129 euro. Sipas tij, nëse nuk do të ishte kaq, atëherë ai kishte rrezik të dështonte.

Ndryshe Ligji për Paga tashmë është dekretuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani të mërkurën më 4 janar 2023.

Ligji për Paga u miratua në muajin dhjetor të vitit 2022 në Kuvendin e Kosovës. Ky Ligj u votua nga 63 deputetë, një abstenim dhe asnjë votë kundër.

Të ngjashme