Intervista
Kurti: Kriza s’ka përfunduar për shkak të raporteve abnormale me Serbinë, nevojitet njohja reciproke
Demokracia
13:50 | 07 Janar 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Republikës së Kosovës dhe Serbisë i nevojitet njohja reciproke në mënyrë që të ndalojë kriza.

Ai këtë e ka deklaruar në një intervistë për mediumin ‘Al Jazeera’, teksa ka shtuar se vendosja e barrikadave është bërë si shkak i panikut nga ana e strukturave paralele serbe, përcjell Demokracia.com.

“Kriza nuk ka mbaruar sepse Kosova dhe Serbia kanë marrëdhënie jo normale. Ne kemi nevojë për marrëveshje dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve me qendrën e saj njohjen reciproke. Kosova nuk e njeh Serbinë, Serbia nuk e njeh Kosovën, ne kemi nevojë për njohje reciproke”, deklaroi kreu i ekzekutivit kosovar.

“Nga ana tjetër, kriza nuk ka mbaruar sepse strukturat ilegale të Serbisë, të cilat janë aty që nga viti 1999, kohët e fundit janë shndërruar në banda kriminale të cilat kanë ngritur 16 barrikada në mes të dhjetorit. Megjithatë, agresiviteti i tyre, i cili është rritur, është një shprehje e drejtpërdrejtë e panikut të tyre. Ata e dinë se shteti i së drejtës në Republikën tonë është më i fortë se kurrë dhe për këtë arsye nga frika i kanë ngritur këto barrikada dhe sërish nga frika i kanë hequr”, vijon ndër të tjera deklarimi i tij.

Në anën tjetër, ai raportet me Serbinë i ka përshkruar si “abnormale”. /Demokracia.com/

Të ngjashme