Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi ka komentuar të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për rritjen e çmimeve të produkteve bazike, duke thënë se shtrenjtimi i tyre po vazhdon për shkak se qeveria është spektaore.
Sipas saj, qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë konktrete për parandalimin e shtrenjtimit të produkteve themelore.
Postimi i plotë:
Raporti i sotëm i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregon sërish me shifra krize, kokëforta e me numra të matshëm, se në vendin tonë nuk ka rënie të çmimeve të produkteve bazike. Në fakt, shtrenjtimi i tyre po vazhdon pandalshëm, si shkak i një qeverie spektatore, që nuk ndërmerr ndonjë masë konkrete—asnjë hap të matshëm.
Patatja është shtrenjtuar për 21% për vetëm katër ditë; ndërsa sheqeri për 17 cent më shumë. Kafeja dhe çaji janë shtrenjtuar për 80 cent, përkatësisht 1 euro e 10 cent për kilogram. Një litër ujë kushton 11% më shtrenjtë; ndërsa benzina 5 cent më shumë për litër. Rritje ka edhe në produkte të bulmetit dhe të mishit.
Qytetarët e Kosovës vazhdojnë ta vuajnë mbi kurrizin e tyre inflacionin ndër më të lartit në Evropë. Ndërsa pushtetarët merren me tema fiktive.