Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka numëruar disa nga “sukseset e Qeverisë Kurti për vitin 2022”.
Bislimi në një postim në “Facebook”, ka shkruar se përveç sukseseve në fushën e ekonomisë, Kosova ka shënuar progres edhe në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.
“Viti 2022 ka qenë i mbushur me suksese e sfida, të cilat i kemi përballuar e tejkaluar bashkërisht. Kosova ka shënuar gjatë këtij viti rritje ekonomike, rritje të eksporteve, rritje të të hyrave doganore, rritje të të hyrave tatimore, rritje të investimeve të huaja direkte, rritje të rezervave shtetërore dhe rritje të punësimit. Kemi shpërndarë mbi 200 milionë euro vetëm përmes Pakove të Ringjalles Ekonomike dhe asaj të Përballjes me Inflacionin. Kemi shënuar progres në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian, ku janë miratuar në Qeveri e Parlament numri më i lartë ndonjëherë i ligjeve dhe projektligjeve në kuadër të agjendës evropiane dhe zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, ka shkruar numri dy i Qeverisë.
Pjesë të suksesit, Bislimi ka vlerësuar edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, teksa ka përmendur edhe së fundi aplikimin për anëtarësim në BE.
Teksa më tej, ka shkruar se Kosova është kontribuuese e stabilitetit, paqes, vlerave demokratike e fqinjësisë së mirë.
“Pas vitesh të pritjeve të shumta, tashmë kemi ecur përpara në çështjen e liberalizimit të vizave, ku pas përfundimit të hapave të fundit të mbetur, qytetarët tanë do të mund të lëvizin pa viza, më së largu me 1 janar 2024. Arritjet e sukseset e Qeverisë, u vërtetuan edhe në Raportin për Vendin 2022, i cili ishte më i miri ndonjëherë për Kosovën. U përballëm dhe me tentativat destabilizuese nga fqinji ynë verior, të cilat i përballuam me sukses e vendosmëri. Jemi eksportues të demokracisë, në rajon e Evropë”, thuhet tutje në postimin e Bislimit.
Në përmbyllje të postimit, Bislimi ka shkruar se janë të vetëdijshëm që ka ende punë të bërë.
“Përpara, drejt një viti tjetër plot përkushtim, angazhim e suksese të reja”, ka shkruar ai.