Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, në një intervistë fundivti për mediumin serb “Telegraf” ka folur edhe për bombardimin e Jugosllavisë në vitin 1999.
Hill ka thënë se duhet pasur parasysh që diçka e tillë ka ndodhur para 23 vjetësh dhe është njëjtë sikur të flitet për ngjarjet e vitit 1968 apo 1945.
Ndërkohë thotë se personalisht “i vjen keq” që një gjë e tillë ka ndodhur në historinë amerikane, por shton se duhet marrë mësime nga e kaluara dhe s’duhet bërë pengje të saj.
“S’jam i lumtur për këtë. Por në një moment njerëzit duhet të kthehen drejt së ardhmes për të lëvizur përpara. Për të provuar për të marrë mësime nga e kaluara, por jo për t’u bërë pengje dhe skllav të së kaluarës”, ka thënë Hill.
“Unë kam ardhur këtu pas 23 vjetësh, me pritjet që ne mund të bëjmë shumë bashkërisht . Ne ndajmë të njëjtat vlera dhe botëkuptime dhe mendoj se ne duhet të fokusohemi në këtë, dhe jo në diçka që ka ndodhur para 23 vjetësh”, ka shtuar tutje Hill.