Reagime të ashpra kanë shkuar në adresë të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, pasi nuk ndërhyu derisa një vajzë e vogël kosovare, lëmoshëkërkuese, po largohej dhunshëm nga një lokal në Prishtinë, e cila po kërkonte lëmosh nga Peci.
Në një video të publikuar në rrejtët sociale shihet teksa kamarieri në mënyrë të vrazhdë e kap dhe largon vogëlushen jashtë lokalit. Krejt kjo ngjarje ndodhi afër tavolinës së ministrit Peci.
Madje edhe kur ajo nxirret dhunshëm nga lokali, ministri Peci vetëm e shikon me indiferencë dhe as nuk tenton ta ndalojë.
Bashkëkryetari i Listës GUXO duket se nuk e kishte guximin që ta ndalonte një trajtim jonjerëzor të kësaj vogëlusheje, që siç shihet në video duket rreth pesë ose gashtë vjeçare.
Pas publikimit të këtyre pamjeve pati reagime të ashpra në publik.
Fillimisht ishte kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili tha se “duhet pasur ndjenjat e ministrit që të mos reagosh ndaj një situate të tillë”.
“Bravo Ministër Peci… duhet pasur ndjenjat e MINISTRIT për të mos reaguar përballë një situate ku një vajza e vogël që kërkonte lemoshë u hodh me dhunë nga lokali. Mjerë na!” – ka shkruar ai.
Ndërsa, Veton Berisha i Partisë Liberale Egjiptiane të Kosovës e ka denoncuar sjelljen shpërfillëse të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci në këtë rast.
“Në prezenc të ministrit Faton Peci një vajzë e komunitetit jo-shumicë nxirret zvarrë nga një lokal. Si mundet të bëhet një gjest i tillë nga ana e kamarierit dhe ministri i qeverisë Kurti nuk e bën asnjë reagim dhe as që i bën përshtypje akti i shëmtuar!!! Prej kujt pritet të kemi mbrojtje kur ndodhë kjo ngjarje para syve të atyre që kanë premtuar se komunitetet do të jetojnë dinjitetshëm!? z. Faton Peci është kolegë i ministrit tonë z. Elbert Krasniqi i cili erdhi në përfaqësim duke mashtruar se ai do të ndryshoj gjendjen e komunitetit Egjiptian!? Ja populli i dashur cili është ndryshimi! Tmerrrrr..!”, ka shkruar Berisha.
E ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, këtë veprimin e quajti si racizëm.
“Ngjarja e fundit ku shihet qartë mënyra e vrazhdë se si largohet një fëmijë nga radhët e komuniteteve nga lokali pa asnjë arsye është shqetësuese dhe e papranueshme për të gjithë. Unë, angazhohem çdo ditë që të luftohet dhe raportohet racizmi. Sjellje si këto nuk kanë vend në mesin tonë!”, shkroi ai.
Edhe deputeti i komuniteteve pakicë në Kuvendin e Kosovës, Fridon Lala, ka thënë se qëndrimi i ministrit në këtë rast, është i patolerueshëm.
“Sapo e pashë një video të nxjerrë nga disa portale në të cilën shihet një vajzë lëmoshë-kërkuese duke u shoqëruar dhunshëm jashtë një lokali në prani të ministrit Faton Peci. Për një ministër të republikës, qëndrimi prej spektatori në një rast të tillë është flagrant dhe i patolerueshëm”, shkroi ai.
Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka thënë se mosreagimi i Peci ndaj kërkesës për lëmoshë nga vajza dhe heshtja e tij e pashpirtë ndaj sjelljes së patolerueshme të kamerierit, nuk është e rastësishme.
Tutje ai ka shkruar se Kurti tashmë nuk i sheh më lypsaret dhe as nuk i takon, sepse ai shkon në punë me xhipa të zinj.
“Mosreagimi i minisrit Faton Peci ndaj kërkesës për lëmoshë nga vajza e vogël dhe heshtja e tij e pashpirtë ndaj sjelljes së patolerueshme të kamarierit, nuk është e rastësishme. Ky është modeli të cilin në këtë vend e ka mbjellur Albin Kurti dhe shpurra e tij ideologjike. Albin Kurti dhe njerëzit e tij për dy dekada e kanë rrënuar dhembshurinë mes njerëzve. Ai e ka dëmtuar shoqërinë tonë. Prandaj, sot ministrit të tij nuk ia thotë zemra t’i përgjigjet zërit të një fëmiu dhe aq më pak të reagojë ndaj sjelljes së patolerueshme të kamerierit. Albin Kurti nuk i sheh më lypsarët dhe as nuk i takon, sepse ai shkon në punë me xhipa të zinj. Albin Kurti është shkëputur tërësisht nga realiteti”, ka thënë Gjoshi.
Kurse, kryetar i PDAK-së, Qazim Rrahmani, ka thënë se kjo video tregon racizmin, diskriminimin dhe injorancën e pushtetarëve tonë.
Rrahmani u kërkon deputetëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që janë pjesë e Qeverisë Kurti që të kërkojnë dorëheqjen e ministrit Peci.
“Kjo video tregon racizmin,diskriminimin dhe injorancën e pushtetarëve tonë shtetit . Në sy të një Mnistri shtetit të veprohet me një vaglueshe kështu kjo është turpi i dynjasë. O Ministër nëse nuk ke pasur vullnet me i ndihmu kësaj voglueshe spaku ke mundur me thanë kamarjerit sillu pak ma qetë, kërkoj nga deputetët e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjipjan që janë pjesë e Qeverisë Kurti kërkoni dorëheqjen e këtij Ministri racistë e injorantë. Zoti të marroftë o ministër Peci. A ki fëmijê morre burrë a ki shpyrt e zemër.O mjer ne çfar deputet të komuniteteve kemi, se ky për këtë sjlleje kishte shkuar shpi”, shkruan ai.
Aktivistja për të drejtat e njeriut, Neri Ferizi, ka thënë se nëpërmjet institucionëve e shfaqëm racizmin tonë.
“Edhe njëherë, përmes kreut të një institucioni treguam që jemi racistë. Nëse ka dikush dyshime për racizmin tonë kolektiv, le ta ndjekin videon e publikuar”, ka shkruar Ferizi. /Demokracia.com/