Në emisionin EURO n’7, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka treguar se brenda pesë viteve të mandatit të tij të parë, u janë tërhequr licencat 14 institucioneve të ndryshme financiare në vend, për shkak të shkeljeve të mëdha ligjore dhe të rregulloreve të brendshme të këtij institucioni.
Qëllimi i BQK-së, sipas kreut të saj, është që të ruajë stabilitetin financiar dhe të mos tolerojë asnjë shkelje ligjore që do ta rrezikonte këtë stabilitet.
Ai, tutje shpjegon se tërheqja e 14 licencave nuk ka qenë aspak e lehtë pasi që nuk kishte një praktikë të tillë më herët. Po ashtu, këto vendime ishin edhe me rrezik të madh financiar, pasi që vetëm një rast i humbur mund t’i kushtonte vendit mbi 30 milion euro.
“Kur është në pyetje zbatimi i ligjit tolerance është zero dhe ky mesazh është kuptuar drejtë nga të gjithë. Ne kemi fituar të gjitha rastet e ngritura kundër BQK-së për tërheqjen e këtyre licencave në gjykata vendore e po ashtu edhe në arbitrazh. Me vendimet e marra kemi ruajtura depozituesit dhe siguruesit e veturave që është synim primar i yni”, ka shtuar guvernatori Mehmeti.
Pasojat, nëse nuk do të tërhiqeshin këto licenca, sipas kreut të BQK-së, do të ishin shumë të mëdha dhe do të ndikonin që të kemi një kaos dhe shkatërrim të tregut financiar në vend.