Kabineti i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) sot aprovoi hapjen e një ambasade në qytetin e Tel Avivit, në Izrael, shkruan Reuters, raporton Demokracia.com.
EBA dhe Izraeli janë pajtuar t’i normalizojnë raportet në gusht të vitit të kaluar, një marrëveshje që u arrit për t’u bashkuar kundër Iranit.
Që nga atëherë, Bahrejni, Sudani dhe Maroku janë pajtuar të lidhin raporte miqësore me Izraelin gjatë administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Reuters shkruan se nuk janë dhënë detaje të tjera rreth hapjes së ambasadës së EBA-s në Izrael.
Qeveria izraelite e njeh Jerusalemin si kryeqytet të saj, edhe pse nuk është i njohur si i tillë nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare. Palestinezët e njohin Jerusalemin Lindor si kryeqytet të shtetit të ardhshëm palestinez. Shumica e vendeve të botës i kanë të instaluara ambasadat e tyre në Tel Aviv./Demokracia.com