Lajme
Inspektori i Përgjithshëm i AKI-së që u emërua nga Osmani e Kurti ishte suspenduar nga FSK-ja
Demokracia
17:13 | 21 Dhjetor 2022

Share:

Kujtim Shala është emëruar nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti si Inspektor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Lajmi është bërë i ditur nga Presidenca, shkruan Demokracia.com.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti sot janë njoftuar nga Inspektori i Përgjithshëm i deritashëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z. Burim Ramadani për dorëheqjen e tij nga kjo pozitë. Ata kanë falënderuar z. Ramadani për shërbimin e tij në AKI nga viti 2019 dhe i kanë uruar suksese të mëtejme në angazhimet e tij profesionale. Pas konsultimeve, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë emëruar Inspektor të ri të Përgjithshëm të AKI-së, z. Kujtim Shala, i cili deri më tani ishte i angazhuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.”, ka njoftuar Presidenca.

Por, i emëruari i Osmanit dhe Kurtit po del se ka pasur problem me punën e tij gjatë kohës kur ishte pjesë e stafit të IT-së në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Kohë më parë, mediat kanë raportuar se Shala ishte ndëshkuar në procedurë disiplinore, pasi komisioni disiplinor kishte konstatuar parregullsi në punën e tij.

Në dosjen e tij në ministri figuron se Shala ishte pezulluar nga puna për dy muaj e më pas paga e tij ishte zvogëluar për 3 muaj pasi komisioni kishte konstatuar shkelje gjatë punës.

Informacioni ishte konfirmuar nga zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Ibrahim Shala.

“Në të kaluarën, Kujtim Shala nga Bordi Disiplinor i ministrisë, më saktë me 17.05.2013, ka marrë masë sanksionuse, pezullim i ushtrimit të detyrës për dy muaj dhe me ndalimin e 1/3 së pagës mujore”, thuhet në konfirmimin e zyrës për media.
Para se të vinte në AKI ai ishte emëruar nga qeveria në detyrë si anëtar i bordit në Ndërmarrjen Publike “Posta e Kosovës”.

Në një bisedë për KALLXO.com, vetë Shala e ka pranuar se ka qenë i suspenduar në vitin 2013.

“Po, ëshë e saktë që kam qenë i suspenduar”, ka thënë Shala.

Ai kishte shpjeguar rastin se pse është suspenduar. “Sipas një urdhri gojor të ish-shefit tim, në 2013, i cili e potencon në deklaratën e tij gjatë kësaj faze, kam pasur një detyrë për me shku me pranu disa tonerë për printera që nuk kanë qenë menaxher kontrate për shkakun që menaxheri i kontratës ka qenë në pushim vjetor me gjasë. Pra, për shkakun që menaxheri i kontratës ka qenë në pushim vjetor, shefi i im drejtpërdrejt më ka thënë për pranimin e materialit, në këtë rast tonerave. Unë nuk e kam ditë që nuk kam të drejtë pa ma shkruar me e-mail një detyrë, unë i kam besu vetëm fjalës, kam shku kam raportu, kanë pranu, gjithçka në rregull”, tha ai.

I pyetur se e ka prezantuar në CV-në kur e ka paraqitur për tu bërë pjesë e bordit të Postës, ai tha se nuk e ka parë të nevojshme një gjë të tillë.

“Jo, nuk e kam paraqitur në CV sepse kjo nuk kërkohet, kjo ka qenë një masë e brendshme që mbetet brenda nuk ka kaluar kurrfarë gjykate sepse s’ka pasur dëme materiale. Absolutisht nuk e besoj që mund të jetë problem që unë të jem anëtar bordi për shkak të kësaj, nuk besoj që ka ndonjë problem. Përkundrazi, kjo ka qenë që 7 vite, është shumë e moçme që nuk më pengon kurrgjë”, ka deklaruar Kujtim Shala.

Të ngjashme