Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se institucionet e Kosovës janë duke e përcjellë nga afër situatën me vërshimet dhe ka shtuar, se të gjitha kapacitetet shtetërore janë vënë në gjendje të gatishmërisë.
Hoti është njoftuar nga afër me gjendjen nëpër komuna, pas vizitës në Qendrën e Situatave.
Po ashtu komandani i KFOR-it, Franco Federici, ka shprehur gatishmërinë për të ofruar ndihmën e forcave të KFOR-it, nëse është e nevojshme.
“Institucionet e Kosovës janë duke e përcjellë nga afër situatën dhe të gjitha kapacitetet shtetërore janë vënë në gjendje gatishmërie, përfshirë këtu Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Shtabet Lokale dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Po ashtu, kryeministri Hoti është në komunikim edhe me komandantin e KFOR-it, Gjeneral-Majorin, Franco Federici, i cili ka shprehur gatishmërinë për të ofruar ndihmën e forcës paqeruajtëse nëse një gjë e tillë do të jetë e nevojshme”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.