Nga Kristo MËRTIRI
Një ditë ngjiten në avion me vështirësinë e njohur të minifundeve modern. Kush ka punuar në Rinas, ose kush udhëton shpesh me avion nëpër Evropë e Perëndim, me siguri ka parë edhe gra shtatzëna e me “barkun te goja” si pasagjere jo dosido.
Përgjithësisht janë gra zyrtare që e marrin rrogën nëpër organigramën e pasur shtetërore, gjatë qeverisjeve të djathta e të majta. Ka patur e ka edhe politikane e deputete të përkëdhelura e të përzgjedhura me dorë nga Kryetarët e plotfuqishëm, drejtoresha e këshilltare kabinetesh, të cilat para se të hyjnë përditë nëpër zyra luksoze shkojnë e falen në parukeri cdo mëngjes. Janë edhe gra me burra të kamur që bashkëjetojnë a divorcohen, thjesht për t’i thënë “sikter” fukarallëkut dhe tashmë nuk pranojnë të lindin në maternitetet e Tiranës, gjithnjë në emër të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Por paska edhe gra juriste nga Prokuroria e Gjyqësori(në tërë shkallët e tyre), të cilat cirren e ngjirren për të sunduar kudo Shteti i së Drejtës…Vecse gati të gjitha kanë edhe një objektiv për pasardhësit, pasi u sigurojnë strehimin e bollshëm dhe kontot bankare të majme : Të sapolindurit në dhera të huaj, fitojne shtetësinë pa belbëzuar ende dhe favore të tjera si foshnja ! Mjaft prej tyre kanë pasaporta shërbimi a diplomatike ose viza afatgjata. Mirëpo ka mbarsje natyrore, por ka edhe artificiale, gjë që mbase s’ka shumë vëmendje. I rëndësishëm mbetet “aveniri i fëmijëve” qysh foshnjë ! Për ata rrojnë, punojnë e luftojnë me të gjitha mjetet e rrugët…
Urtësia shqiptare ka folur herët : Shtëpia pa fëmijë, si nata pa yje ! Dhe ata vogëlushë nuk kanë lindur nëpër trena, as në anije e avionë, as në burgje dhe as “jashtë martese” në ilegalitet e mysybet.
Përkundrazi. Prindërit e tyre u bëjnë “dhuratë e peshqesh” qysh në djep nënshtetësinë europiane e perëndimore. Dhe pastaj kthehen e mbajnë fjalime të nxehta në Tiranë për arritjet në Shëndetësi ose në Shërbimet Sociale(kur simotrat e tyre në ca fshatra të thella malore, i cojnë të hedhura në vig e mbi supe për të lindur në qytetin më të afërt!). Dhe nuk harrojnë asnjëherë të marrin edhe “Ceqet e bebeve” që vendosi Qeveria “Rama” vitet e fundit. U takoka me Ligj. Sepse “për fëmijët e lindur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nga shtetas shqiptarë, me banim të përhershëm në Shqipëri, regjistrimi i lindjes së fëmijës bëhet në përfaqësitë diplomatike ose konsullore shqiptare, në vendin ku ka lindur”. Nuk e kemi fjalën thjesht për numrin rendor, datën e plotë dhe orën e lindjes, gjininë, kombësinë, as për faktin nëse ka lindur normal, binjak apo siamez…
Në fund të fundit, regjistrimi në zyrat e Gjendjes Civile ofrohet falas. Dhe bonuset qeveritare nuk janë të vockla. Vetëm për 3 vitet (2019-2020-2021), në shkallë vendi përfituan nga programi i mbrojtjes sociale 115 mijë e 764 fëmijë të porsalindur.
Janë mbështetur familjet e reja, “pavarësisht statusit social-ekonomik”. Frytet konkrete të kësaj politike ende nuk i dimë saktë nga institucionet përkatëse. A ka filluar të rritet numri i fëmijëve nëvendin tonë të rrudhur nga skamja dhe emigracioni ?…
Historikisht, populli ynë e di mirë : Po rrite një fëmijë, ke ngritur një kala !
Vërtet fëmija ta zë kokën me derë ?!
Mund të kërkohen e të gjenden lloj-lloj sebepesh dhe justifikimesh morale e shëndetësore, sociale e familjare. Lind pyetja : Po të mos kishin atë status zyrtar e financiar të pistë, a do u shkonte mendja te kjo udhë e gjatë skuthërie e fitmprurëse, tinzare e hileqare, për sot e për nesër ? Sepse nuk bëhet fjalë për mbarsje të motit me re e shira dhe as për mbarsje me ide a vizione të gabuara. Edhe këtu, nuk mund të heshtet nga shoqëria jonë besimthyer si në rrokullimë e tepër trullollëse nga politika e madhe dhe analistët e gërr-vërreve nëpër ekranet partiake e opozitare. Nuk besoj të gjenden statistika të sakta për këtë dukuri të shëmtuar as në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Institucionet rrinë gojëkycur. Heshtja ose mbyllja e njerit sy flet shumë.
Por na kujton edhe një anekdotë të shkurtër vlonjate, lindur në vitet e Pluralizmit rrumpallë : “ Pse thonë,-fliste në
Televizion ministri i Brendshëm,-se policët e mi janë duke arrestuar edhe fëmijë ? Unë mund të paraqes si dokument me qindra gra nga populli, të cilave nuk u kemi arrestuar asnjë fëmijë”…Mirëpo një lab ironik i thekur, krojti zërin dhe i tha aty për aty atij që kish pranë:
-Mos e vri mëndjen, xhanoo, ai po flet për gratë shterpa…