Lajme
VIDEO| Ekstremistë serbë e rusë të armatosur me kallashnikovë incizohen në veri
Demokracia
11:13 | 18 Dhjetor 2022

Share:

Serbët në veri të Kosovës, tash e nëntë ditë kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Në këto barrikada është raportuar se ka edhe grupe të armatosura serbe e ruse.

Një video që është shpërndarë në rrjetin social “Twitter” nga mediumi boshnjak “Istraga” shihen persona të armatosur me armë automatike edhe pako me shenjat e Qendrës Humanitare Ruso-Serbe nga Nishi.

“Në barrikadat në veri të Kosovës ka persona të armatosur me automatikë. Në videon që posedon Istraga mund të shihni edhe pako me simbolin e Qendrës Humanitare Ruso-Serbe nga Nishi”, thuhet në përshkrimin e videos.

Drejtuesi i grupit ekstremist rus “Ujqërit e Natës” ka konfirmuar se disa anëtarë gjenden në barrikada në veri të Kosovës.

Aleksandr Zaldostanov me anë të një postimi në rrjetin social “Telegram” ka shkruar se “Fitorja e Serbisë është fitorja e Rusisë”.

“Drejtuesi i ‘Ujqërve të Natës’, Aleksandr Zaldostanov, ka njoftuar në kanalin e tij Telegram, se anëtarët e organizatës së tij, e cila është në listën e zezë të BE-së dhe SHBA-së, ndodhen në barrikada në veri të Kosovës.

“‘Fitorja e Serbisë është fitorja e Rusisë’”, ka shkruar Zaldostanov.

Kjo organizatë ekziston që nga viti 1980, kur u themelua si një klub i dashamirëve të motoçikletës dhe muzikës rock.

Ata kanë zhvilluar lidhje të forta me Putinin, i cili shpesh në media i përshkruan si “miq”. Ky grup ekstremist janë pjesëmarrës të rregullt në marshimet nacionaliste, të financuara nga Kremlini dhe thellësisht të përfshirë në strukturën e Kishës Ortodokse Ruse.

Këta janë të njohur për mbështetjen e tyre për serbët nga Kosova, por edhe për “punën e tyre humanitare” dhe mbështetjen për “Vëllezërit Ortodoks”.

Kremlini këtë grup e ka nxjerrë nga margjina për të përdorur pro-putinizmin e tyre, ortodoksinë dhe retorikën anti-amerikane./Demokracia.com/

Të ngjashme