Për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Zdravko Ponos, dëshira e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për dërgimin e 1 mijë pjesëtarëve serbë nga institucionet e sigurisë për në Kosovë, përveç se është jo-realiste, shërben për konsum të brendshëm politik.
“Vetë Vuçiq ka deklaruar se kjo thirrje nuk do të japë fryte. Ai një gjë të tillë po bën për përdorim të brendshëm politik për të thënë se ne tentuam. Kërkesa nuk shërben gjë tjetër veçse ushqen pritshmëritë jorealiste, poshtëron dhe manipulon njerëzit që qëndrojnë në barrikada”, ka deklaruar Ponos për gazetën serbe Nova.rs.
Ditë më parë kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç dhe i ashtuquajturi drejtor i “Zyrës për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, deklaruan se udhëheqja e Serbisë është afër një vendimi për të kërkuar vendosjen e trupave të sigurisë serbe në Kosovë, duke pretenduar se jetët e minoritet serb atje janë në rrezik.
Megjithatë ky pretendim i zyrtarëve serbë u kundërshtua në mënyrë të prerë nga ana emisarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë të dhënë për Radio Evropa e Lirë.
Sipas top-diplomatit amerikan Kosova ka garanci të forta sigurie nga ShBA-të dhe rrjedhimisht një gjë e tillë nuk është e mundur të ndodhë.
“Ne e kundërshtojmë këtë kategorikisht, e hedhim poshtë kategorikisht. Nuk e mbështesim këtë fare. Unë gjithashtu dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga ShBA-të”.