Misioni i EULEX-it ka njoftuar se janë dorëzuar barnat për Dejan Pantiqin, i cili u arrestua disa ditë më parë në vendkalimin në Jarinje dhe akuzohet për veprën penale kryerja e terrorizmit.
Misioni ka thënë për portalin serb “Kosovoniline” se misioni ia ka dorëzuar barnat komandantit të policisë së Kosovës në Leposaviq, transmeton Paparaci.
Me këtë ky mision e përgënjeshtron Petar Petkoviqin i cili e ka akuzuar komunitetin ndërkombëtarë se ajo “po merret me barrikada, ndërsa nuk sheh se autoritetet Kosovare po e rrezikojnë jetën e Pantiqit duke mos ia lejuar përdorimin e ilaçeve”.
Siç thuhet në përgjigje EULEX-i është në kontakt me Policinë e Kosovës, Prokurorinë Speciale të Kosovës, Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, si dhe me avokatin Pantiq.
“Në përputhje me mandatin e tij, EULEX-i po monitoron rastin në mënyrë që të vlerësojë se si po trajtohet i paraburgosuri nga autoritetet e Kosovës”, thuhet në deklaratë.