Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për emërimin e Fadile Dylës në pozitën e Sekretares së Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Dyla, e cila u emërua sekretare në MASHTI, është vajza e vëllait të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Koka.
Propozimin para kabinetit qeveritar e bëri zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra.
“Në pajtim me dispozitat ligjore, MPB ka zhvilluar procedurën e rekrutimit për plotësimin e vendit. 5 kandidatë kanë aplikuar, 4 kanë hyrë në listë të ngushtë. Kandidatët që ka kanë kaluar kanë qenë Fadile Dyla dhe Xhavit Dakaj. Propozojmë emërimin e Fadile Dyla për mandat 4-vjeçar”, tha ai.
Ndryshe, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, më 25 maj të vitit 2021 e kishte emëruar në këtë pozitë mbesën e deputetit Koka.
Deputeti i Vetëvendosjes, Jahja Koka, pati thënë se nuk ka gisht në emërimin e mbesës së tij.
“Shikoni, unë jam në moshë edhe prej kohës së pandemisë unë nuk kam shkuar te vëllai. Nuk kam qenë prej para pandemisë, qe një vit e gjysmë nuk kam qenë fare. Që një vit jam kyç në politikë, d.m.th. nuk e kam pa as vëllain e as Fadilen prej asaj kohe. Unë sot e kom marrë vesh. Absolutisht unë jo vetëm që nuk kam gisht aty, por unë sot e kam marrë vesh që ajo është emëruar në pozitë të tillë”, kishte thënë Koka në maj të vitit të kaluar.
Dyla, që me profesion është arkitekte, më herët ka punuar po në këtë ministri në një tjetër funksion. Ajo fillimisht u emërua ushtruese e detyrës dhe tani sekretare në dikasterin e udhëhequr nga Nagavci e Vetëvendosjes.
Ndryshe, nga MAShTI kanë thënë se për këtë pozitë kanë aplikuar pesë kandidatë, ku katër prej tyre kanë hyrë në listën e ngushtë. /Demokracia.com/