Lajme
Situata në veri| Reagon Rama: BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut
Demokracia
14:54 | 11 Dhjetor 2022

Share:

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për zhvillimet e fundit në veri, duke thënë se sulmet mbi EULEX-in dhe Policinë e Kosovës janë të dënueshme pa asnjë ekuivok, dhe se rishfaqja e barrikadave në veri bie ndesh me frymën e dialogut.

Rama nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Twitter”,  ka dënuar sulmet ndaj EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.

“Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor.BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut”, ka shkruar ai.

“Sulmet mbi EULEX janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë!”, ka shkruar Rama.

EULEX ka njoftuar se ndaj një patrulle vëzhguese të tyre në Rudarë është hedhur një bombë çorientuese (shok-bombë), nga e cila nuk ka lëndime në njerëz e as dëme materiale.

EULEX nëpërmjet një njoftimi për media ka theksuar se ky sulm dhe sulmet e tjera ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme.

Lidhur me sulmet në veri kanë reaguar edhe ambasadorët e Italisë, Gjermanisë, Sllovenisë dhe SHBA-së në Kosovë.

Serbët lokalë kanë vendosur barrikada, në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq nga radhët e komunitetit serb.

Si rrjedhojë, Policia e Kosovës mbylli rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë, duke e konsideruar këtë vendim si masë paraprake të sigurisë./Demokracia.com/

Të ngjashme