Muaji i Shenjtë i Ramazanit ka filluar sot. Ky muaj zgjat 29-30 ditë dhe sipas kalendarit gregorian fillon nga mbrëmja e 13 prillit deri në mbrëmjen e 12 majit. Muaji i Ramazanit nuk bie gjithmonë në të njëjtën periudhë të kalendarit gregorian, sepse kalendari islamik është hënor (viti hënor zgjat rreth 11 ditë më pak se kalendari diellor), dhe regjistrimi i vitit nuk përkon, sepse myslimanët fillojnë të llogarisin nga viti 624 të erës sonë, kur Muhammedi la qytetin e Mekës për të shkuar në Medine.
Xhabir Hamiti, teolog dhe profesor i Fakultetit të Studimeve Islame, në një intervistë për Demokracia.com tregoi më gjerësisht për agjërimin, për historikun e agjërimit si formë e vjetër e adhurimit, për personat të cilët duhet dhe nuk duhet të agjërojnë dhe për mënyrën sesi duhet të sillen besimtarët gjatë këtij muaji.
Për situatën me pandeminë COVID-19 dhe të infektuarit me këtë sëmundje, Hamiti tregoi se pandemia nuk e pengon individin në përmbushjen e obligimeve fetare, përveç në raste të caktuara, ndërsa sipas tij çdo agjërim i cili sëmundjen e të sëmurit e rëndon apo që e rrezikon edhe më tepër bartësin e saj, nuk duhet të praktikohet.
Demokracia.com: Cili është historiku i agjërimit të Ramazanit?
Hamiti: Agjërimi është një formë e vjetër e adhurimit të Zotit, e cila ka evoluar përmes mënyrave të ndryshme përgjatë historisë njerëzore. Ndalimi nga pijet dhe lloje të caktuara të ushqimit vazhdon të jetë edhe sot prezent tek fetë e ndryshme në botë, por sidomos tek ato monoteiste para islamike si; hebreizmi dhe krishterimi. Por, forma të cilën besimtarët e Islamit e praktikojnë agjërimin është më e veçantë dhe më unike, sepse ndalon çdo gjë nga pijet, ushqimi dhe intimiteti bashkëshortor, që nga agimi i mëngjesit e deri në perëndim të diellit. Ky agjërim ka historinë e tij nga viti 624 të erës tonë, ose më qartë që nga viti i dytë sipas kalendarit lunar.
Demokracia.com: Ky është Ramazani i dytë në pandemisë, a është e vështirë për besimtarët që të i përmbushin obligimet e tyre gjatë kësaj kohe?
Hamiti: Pandemia nuk e pengon individin në përmbushjen e obligimeve fetare derisa ajo nuk e godet atë apo edhe rrethin e ngushtë familjar me të cilin ndanë ambientin e jetës dhe banimit. Ndryshe, kjo sëmundje përveç rrezikimit të jetës së njerëzve dhe shkaktimit të vdekjes së miliona prej tyre, sot ka shkaktuar edhe panik dhe krizë psikike në mesin e shoqërisë , e cila si e tillë, sigurisht dhe pashmangshëm se është një nga pengesat e përqendrimit të duhur gjatë aktit të agjërimit. Në fakt, pandemia ka zbehur shumë fusha tjera të jetës tonë, duke mos përjashtuar edhe jetën fetare të njerëzve, sidomos ato të karakterit publik dhe kolektiv.
Demokracia.com: A lejohet që personat e infektuat me COVID të mos agjërojnë dhe sipas fesë islame cilët persona lejohen të mos agjërojnë?
Hamiti: Çdo agjërim i cili sëmundjen e të sëmurit e rëndon apo që e rrezikon edhe më tepër bartësin e saj, nuk duhet të praktikohet, sepse shëndeti është mbi të gjitha dhe para se gjithash. Sipas mësimeve islame, nga praktikimi i agjërimit përjashtohen si vijon; fëmijët të cilët nuk e kanë arritur moshën e pjekurisë, të sëmurët fizik dhe mental, të shtyrit në moshën e skajshme të pleqërisë.
Ky grup i besimtarëve nuk obligohet që ti ri-agjërojë ditët e lëshuara të Ramazanit e as t’i kompensojë ato me diçka tjetër në kundërvlerë.
Ndërsa grupi tjetër i cili po ashtu lejohet që të mos agjërojë gjatë ditëve të Ramazanit, por që sipas shumicës së juristëve mysliman obligohet që t’i ri-agjërojë ditët e lëshuara është si vijon: gratë shtatzëna, lehonat, nënat që ushqejnë fëmijët më qumështin e gjinjve të tyre, gratë me cikël menstrual, punëtorët të cilët janë të detyruar që të kryejnë punë të rënda fizike, ekspertët nga të cilët kërkohet përqendrim maksimal si mjekët kirurg, pilotët, drejtuesit e makinerisë së rëndë etj.
Demokracia.com: Sipas fesë islame si duhet te sillen besimtaret gjatë Ramazanit?
Hamiti: Besimtarët gjatë gjithë kohës, qoftë para dhe qoftë pas Ramazanit duhet të sillen mirë në raport me besimin e tyre, mirëpo në veçanti gjatë kohës së agjërimit ata duhet të jenë më të veçantë dhe më të kujdesshëm, që do të thotë; më të përqendruar në kujtimin e Zotit, më fjalëpakë, me të butë dhe më solidar me njëri tjetrin.
Demokracia.com: A duhet të punohet edhe gjatë muajit të Ramazanit? Apo keqkuptohet kjo nga besimtarët duke thënë se “jam agjërueshëm dhe më lejohet të mos punoj”?
Hamiti: Puna e përballueshme nuk duhet të shihet si pengesë për agjërim. Përjashtohen rastet dhe kategoritë e lartpërmendura të punëtorëve. Pra, duhet pasur në konsideratë natyrën e punës, sepse asnjë punë nuk është e ngjashme për nga ngarkesa, përgjegjësia, përkushtimi dhe përqendrimi.
Demokracia.com: Cili është mesazhi i juaj për besimtarët?
Hamiti: Le të kultivojmë më shumë dashuri dhe respekt për njëri tjetrin, të duam më shumë familjen dhe të punojmë më shumë për vendin tonë dhe për të ardhmen e ndritur të shoqërisë tonë.
Agjërim të lehtë për të gjithë !/Demokracia.com/