Autoritetet në Ukrainë kanë arrestuar një grup i cili dyshohet se u përpoq ta vjedhë një mural të artistit të njohur Banksy nga muri i një ndërtese që ishte dëmtuar nga bombardimet ruse.
Murali, i cili shfaq një grua me një maskë gazi dhe një fikës zjarri, u “pre pamëshirshëm nga sulmuesit” në qytetin Hostomel, në veriperëndim të kryeqytetit Kiev të premten, shkruan CNN, transmeton Klan Kosova.
“Një grup njerëzish çmontuan veprën e artistit me famë botërore, u përpoqën ta transportonin duke përdorur dërrasa druri dhe polietileni, por u ekspozuan nga policia dhe forcat e sigurisë,” ka treguar kreu i Departamentit të Policisë së Kievit, Andrey Nebitov.
Si pjesë e hetimit, “ekzaminimi i veprës së artit” do të kryhet dhe autoritetet do të marrin një vendim se çfarë akuze do të ngrenë kundër sulmuesve të dyshuar, tha Nebitov.
Të premten, kreu i administratës ushtarake të rajonit të Kievit, Oleksii Kuleba, tha se të dyshuarit “u arrestuan në vend” dhe se murali është i padëmtuar.
“Dua të theksoj se veprat e Banksy në rajonin e Kievit janë nën mbrojtjen e policisë,” tha Kuleba në kanalin e tij Telegram.
“Në fund të fundit, këto imazhe janë një simbol i luftës sonë kundër armikut. Këto janë historitë për mbështetjen dhe solidaritetin e të gjithë botës së qytetëruar me Ukrainën. Le të bëjmë gjithçka për të ruajtur veprat e artit të rrugës si një simbol të Fitores sonë të ardhshme. ”, tha ai.
Autoritetet rajonale të Kievit, komuniteti lokal dhe përfaqësues nga Ministria e Kulturës dhe Politikës së Informacionit të Ukrainës po kryejnë “konsultime në lidhje me ruajtjen dhe fatin e ardhshëm të muralit”, tha Kuleba.
Murali në Hostomel është një nga disa vepra të krijuara nga artisti anonim në qytete të ndryshme të Ukrainës pas pushtimit të Rusisë.