Një 35-vjeçare nga Lipjani është vrarë mbrëmë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Gruaja me inicialet H.M. dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti në oborrin para Klinikës së Gjinekologjisë derisa kishte dalë për një shëtitje.
Ende nuk ka të arrestuar lidhur me rastin, shkruan Demokracia.com.
Përkundër reagimeve të shumta, deri më tani as Policia e Kosovës dhe as Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk kanë dalë me ndonjë komunikatë zyrtare lidhur me rastin.
Sveçla, i cili për aksionet e Policisë së Kosovës deklarohet me mburrje ende pa përfunduar mirë aksioni, as mbrëmë dhe as sot nuk e ka thënë as edhe një fjalë të vetme për krimin e rëndë që ndodhi brenda një institucioni publik.
As Policia e Kosovës deri më tani nuk ka lëshuar asnjë komunikatë zyrtare lidhur me vrasjen e gruas shtatzënë brenda oborrit të QKUK-së.
Detaje për rastin mbrëmë janë dhënë vetëm nga zëdhënësat rajonalë të Policisë në Prishtinë, prokurori i rastit dhe familjarët e viktimës.
Po ashtu, Nazlie Bala nga Ministria e Drejtësisë, e ka konfirmuar se viktima e kishte raportuar bashkëshortin në Polici për dhunë në familje, në muajin korrik të këtij viti. Sipas saj, ajo ka qenë para procesit të divorcit.
Balaj ka thënë se edhe në këtë rast, organet e drejtësisë kanë dështuar ta mbrojnë viktimën.
“Rasti në fjalë është raportuar në korrik të vitit 2022 dhe sot e ndjera është dashur ta ketë mbrojtjen e institucioneve, por për fat të keq edhe sot e kemi edhe një rast me fatalitet, si neglizhencë apo mosveprim institucional. Sipas të dhënave që i kemi si MD, kjo ka qenë para procesit të ndarjes si pasojë e dhunës në familje…Kur flas për moskryerje të përgjegjësive, gjithmonë e kam fjalën nëse rasti është raportu në Polici dhe nga Policia është përcjellë te Prokuroria, atëherë përgjegjësia duhet të kërkohet në sistemin prokurorial apo sistemin gjyqësor. Sipas informacioneve, rasti s’ka pas as urdhër mbrojtës të lëshuar”, ka deklaruar Bala.
Prokurori i rastit, Ilaz Beqiri, ka thënë se ndaj të dyshuarit Sokol Halili ka disa raste të paraqitura në organet e hetuesisë për dhunë në familje.
“Ka pasur të raportuara disa raste të dhunës në familje, por detajet ende nuk i di”, ka theksuar Beqiri.
Tutje, prokurori shtoi se në vendin e ngjarjes kanë gjetur tri gëzhoja të plumbave, që supozohet se shtatzëna është qëlluar tre herë.
Vrasja e 35-vjeçares ndodhi pikërisht në oborrin e Gjinekologjisë, ku viktima ishte shkuar që ta sillte në jetë fëmijën e saj. /Demokracia.com/