Mesfushori kolumbian Andres Balanta vdiq të martën, pasi humbi ndjenjat dhe u rrëzua gjatë seancës stërvitore me skuadrën e tij, Atletico Tucuman.
Më pas u nda nga jeta në spital, ku u dërgua me urgjencë. Njoftimi i hidhur u bë nga zyrtarët e klubit të divizionit të parë argjentinas.
Balanta, 22 vjeç, u rrëzua gjatë stërvitjes së parë të ekipit të tij pas pushimeve dhe u dërgua në një spital në San Miguel de Tucuman, ku vdiq, pasi përpjekjet e mjekëve të mbajtjes në jetë për më shumë se 40 minuta nuk funksionuan.
“Me keqardhje ju informojmë për vdekjen e Andres Balanta. Mbështetësit e klubit janë thellësisht të pikëlluar sot. Sigurisht, ne mbështesim familjen, shokët dhe miqtë e tij”, tha për mediat zyra e shtypit e Atletico Tucuman.
Balanta i ishte bashkuar Atletico Tucuman në korrik të vitit 2021 nga Deportivo Cali, klubi kolumbian ku e filloi karrierën e tij si profesionist më 2019. Ai luajti për kombëtaren e Kolumbisë në Kupën e Botës U-20, në vitin 2019, në Indonezi.
Edhe Federata Kolumbiane e Futbollit shprehu keqardhjen e thellë për vdekjen e Andres Balanta, lojtarit të Kombëtares së Kolumbisë në grup-moshat e saj të ndryshme.