Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare dje u nderua me titullin “Qytetar Nderi” nga Komuna e Tetovës, ku vetë shkrimtari ishte prezent për të tërhequr çmimin.
Në ceremoninë për ta ndëruar shkrimtarin kishte marrë pjesë edhe zotëriu i parë i Kosovës, respektivisht bashkëshorti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, Prindon Sadriu.
Për këtë ka njoftuar ai vetë, përmes një postimi në Facebook, duke shprehur ngazëllimin që e ka takuar shkrimtarin më famë botërore.
“Sot, në Tetovë në ceremoninë e shpalljes së shkrimtarit Ismail Kadare qytetar nderi i Tetovës”, ka shkruar Sadriu.
Ndërsa, dje me këtë rast, Kadare tha se ndjehet i vlerësuar për çmimin, duke shtuar se e ka të vështirë të flas para lexuesve në një prej qyteteve iliro-shqiptare.
“Nuk e kam lehtë të flas para jush, jo se nuk e di të them fjalë, por se çaste të tilla janë të rralla në jetën e shkrimtarëve, të jetë përpara lexuesve në një prej qyteteve iliro-shqiptare. Këto janë çaste që çdo shkrimtar në botë ëndërron t’i përjetojë, pasi jeta njerëzore ushqehet nga ngjarje të këtilla. Iu falënderoj të gjithëve që erdhët në këtë sallë për të më takuar. Unë kur dëgjoj fjalët tuaja për atë që kam shkruar, harroj çdo mundim që kam përjetuar. Nuk ka vlerësim më të madh për mua, kur njerëzit presin të dëgjojnë diçka më tepër”, ka thënë Kadare./Nacionale/