Kryeministri Albin Kurti po e zhyt vendin në krizë e pakënaqësi qytetare çdo ditë e më shumë.
Ulja e pagave të prokurorëve e gjyqtarëve, shkëputja e njëanshme e Kontratës Kolektive me mësimdhënësit, tensionet në veri të vendit, përkeqësimi i marrëdhënieve me aleatët e Kosovës, rritja enorme e çmimeve të konsumit, energjisë e derivateve, mungesa e investimeve, etj., janë vetëm disa prej pakënaqësive të mëdha të qytetarëve të Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Por, shkaktimi i këtyre pakënaqësive sikur e ka një qëllim. Albin Kurti duke mos pasur vizion sesi të qeverisë me vendin po tenton që ta shpie sërish shtetin drejt zgjedhjeve, duke i ikur përgjegjësisë së dialogut me Serbinë, kërkesave për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit, etj.
Duket se Kurti ka frikën e arritjes së një marrëveshjeje dhe këtë përgjegjësi dëshiron ta ndajë me ndonjërën nga partitë opozitare, sepse nuk mund të shpjegohet ndryshe që me çdo vendim krijon pakënaqësi te qytetarët.
Një prej vendimeve që u prit shumë keq e ngjalli reagime të ashpra si të punonjësve të drejtësisë, shoqërisë civile, qytetarëve e mediave është ai për uljen e pagave të gjyqtarëve, prokurorëve dhe tërë sistemit të drejtësisë, ashtu siç ishin para vitit 2017.
Megjithatë, duket se Kurti këtë vendim e ka marrë me qëllim që të nxis reagimet e tyre dhe t’i rikthejë rrëfimet e tij të vjetra lidhur me drejtësinë, si tema potenciale për kauza zgjedhore.
Bazuar në rrogat që ata i kanë marrë deri më tash, do të thotë ulje për rreth 1 mijë euro të pagës së gjyqtarëve e prokurorëve.
Pagat e tyre ishin rritur automatikisht, pas rritjes së pagës së vet nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
Kurti tha se pagat e gjyqtarëve e prokurorëve do të kthehen siç ishin në të kaluarën.
“… me këtë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm, pra para datës së hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017 për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar”, tha kryeministri Kurti, i cili këtë nuk e ka bërë kur e mori pushtetin, por po e bën tani kur po i nevojitet një “kaos” parazgjedhor.
Një vendim tjetër që prek rreth 25 mijë qytetarë të Kosovës, të cilët edhe ashtu janë fort të pakënaqur me pagat e tyre është ai që prek mësimdhënësit, të cilët vetëm pak javë më parë grevuan më shumë se një muaj.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka shkëputur kontratën kolektive me SBASHK-un, të nënshkruar më 22 janar të vitit 2021.
Edhe këtë vendim, Qeveria Kurti e mori dje, në kohën kur po kritikohet shumë për papjekuri politike në raport me partnerët ndërkombëtarë dhe dialogun në Bruksel.
Në letrën e MASHTI-t drejtuar SBASHK-ut, thuhet se kontrata kolektive është shkëputur njëanshëm nga MASHTI, “bazuar në kornizën ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës, e për shkak të mungesës së bazës ligjore, shpërputhjes me dispozitat e rendit publik dhe mungesës së legjitimitetit të palës nënshkruese”.
Kontrata kolektive në fjalë ishte nënshkruar nga SBASHK dhe Qeveria e Kosovës në 21 janar 2021, gjatë kohës kur kryeministër në detyre kishte qenë Qeveria e Avdullah Hotit.
Rrjedhimisht, sipas vendimit të ministres Arbërie Nagavci, kontrata nuk ka legjitimitet meqë në periudhën e nënshkruar u firmos nga një ministër i një qeverie në detyrë.
“Kontrata Kolektive e datës 22 janar 2021 e nënshkruar ndërmjet përfaqësuesve të SBASHK dhe MASHTI (këtu e tutje referuar si: Kontrata Kolektive apo Kontrata), përmes këtij Njoftimi për shkëputje të Kontratës Kolektive (këtu e tutje referuar si: Njoftimi) shkëputet njëanshëm nga ana e MASHTI, bazuar në kornizën ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës, e për shkak të mungesës së bazës ligjore, shpërputhjes me dispozitat e rendit publik dhe mungesës së legjitimitetit të palës nënshkruese”, thuhet në letrën e Ministrisë së Arsimit – drejtuar SBASHK-ut.
Gjithashtu, MASHT në vendim thotë se Qeverisë në detyrë Hoti i ka munguar edhe “autoriteti kushtetues për të ushtruar kompetencat përkatëse”, rrjedhimisht edhe për nënshkrimin e kësaj kontrate kolektive.
Në fakt, Kontrata ishte nënshkruar 30 ditë pas vendimit të Kushtetueses, e cila e dërgoi vendin në zgjedhje.
“Megjithatë, Kontrata Kolektive është nënshkruar me datën 21 janar apo 30 ditë pas shpalljes së njoftimit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me rastin KO95/20 dhe 26 ditë para mbajtjes se zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Kosovës. Qeveria Hoti, të cilës, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO72/20 i mungonte autoriteti kushtetues për të ushtruar kompetencat përkatëse nuk ka pasur legjitimitet për të qenë palë në procedurë e rrjedhimisht, as të nënshkruajë Kontratën Kolektive me SBASHK”, thuhet në vendimin e Ministrisë së Arsimit.
Kontrata Kolektive i siguronte punëtorëve të arsimit mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit për mësimdhënës, shpërblimin jubilar, kompensimin e shujtë dhe benefitet tjera. /Demokracia.com/