Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se vendimi i sotëm i Qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është joligjor.
Hoti ka thënë se në një kohë të tillë të krizës ekonomike, me inflacionin më të lartë në 30 vite, pagat duhet rritur, e assesi të ulen.
“Në kohë krize, me inflacionin më të lartë në 30 vite, pagat duhet të rriten e jo të ulen. Pagat në sistemin e drejtësisë nuk duhet të preken. Vendimi i sotëm i Qeverisë është joligjor.
Kjo çështje është shqyrtuar në shkurt 2020 kur është marrë vendimi për uljen e pagave vetëm për kabinetin qeveritar nga koalicioni i atëhershëm VV-LDK, e jo edhe për sistemin e drejtësisë. Këta që sot e kanë marrë këtë vendim, e dinë mirë se vendimi është joligjor. Deri në miratimin e ligjit të pagave, duhet të rriten pagat së paku sa norma e inflacionit për arsim, shëndetësi, administratë, polici e FSK dhe sektorë të tjerë që janë me paga të ulëta”, ka shkruar Hoti.
Me këtë projektligj Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i kthejë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, sikur para rritjes që ishte bërë me vendim të Qeverisë Haradinaj në vitin 2017.