Lajme
Szunyog pas sulmit ndaj dy shqiptarëve në veri: Përmbahuni nga veprimet që mund të çojnë në konfrontim
Demokracia
22:46 | 17 Nëntor 2022

Share:

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka reaguar për sulmin ndaj dy shqiptarëve në veri të Kosovës, njëri prej të cilëve ishte kameraman.

Szunyog ka thënë se liria e shprehjes dhe siguria e gazetarëve duhet të mbrohet.

Ai ka bërë thirrje për qytetarët në Mitrovicë të Veriut që të përmbahen nga veprimet e dhunshme.

“Duhet të mbrohet liria e shprehjes dhe siguria e gazetarëve! Dënoj sulmin e sotëm ndaj një gazetari të portalit Insajderi në Mitrovicën e Veriut dhe u bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në dhunë dhe konfrontim”, ka thënë Szunyog.

Dy persona u sulmuan të enjten në veriun e Kosovës.

Sipas njoftimit të Policisë, katër nxënës të një shkolle të mesme kanë shkuar te Kodra e Minatorëve në veri për shëtitje, ndërsa gjatë tërë kohës thuhet se ishin nën përcjellje të disa personave me një veturë.

Gjatë kthimit, të dyshuarit e kanë sulmuar njërin prej nxënësve, derisa nxënësit e tjerë kanë arritur të largohen.

Këtë rast, një kameraman i mediumit “Insajderi”, po e filmonte, ndërsa siç njoftoi Policia, edhe ai është sulmuar nga disa të dyshuar, duke tentuar t’ia marrin telefonin.

 

Të ngjashme