Përfaqësuesit e subjekteve politike nga radhët e komunitetit serb që morën pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë shprehur të gatshëm për të marrë mandatet parlamentare të rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.
Në një prononcim për redaksinë serbe të Radio Kosovës, ata kanë thënë se është e nevojshme që serbët të kenë përfaqësuesit e tyre në parlament.
Kjo pasi 10 deputetë të Listës kanë dhënë dorëheqje nga mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë serbë në institucionet në veri të vendit.
Nga 10 deputetët e dorëhequr të Listës Serbe, nëntë nga ata zëvendësohen nga deputetët e së njëjtës parti, ndërsa i 10-ti zëvendësohet nga një tjetër deputet serb, mirëpo nuk i takon partisë Lista Serbe.
Rada Trajkoviq, kandidate e Iniciativës Qytetare “Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, ka thënë se serbët duhet të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës dhe për këtë arsye shpreh gatishmërinë që ta pranojë mandatin e deputetes nëse i besohet.
“Do të ishte mirë që ata të zënë vendet e tyre në Kuvendin e Kosovës, duke më përfshirë edhe mua në mesin e tyre, që kuvendi të mos jetë pa serbë, gjë, që për mua është një problem i madh. Është në të njëjtën kohë një mbështetje për ata për të cilët askush nuk flet, që janë serbët e harruar në komunat e tjera të Kosovës”, ka thënë ajo.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, mendon se është e nevojshme që serbët të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës, sepse është një nga mekanizmat për zgjidhjen e sfidave me të cilat ballafaqohen pjesëtarët e komunitetit serb.
“Besojmë se e vetmja mënyrë se si mund të përpiqemi t’i mbrojmë serbët dhe veçanërisht serbët e jugut, për të cilët nuk është folur fare në muajt e fundit është të luftojmë me mjetet që kemi në dispozicion. Këto janë mjete që mund të sigurohen përmes institucioneve të Kosovës në mënyrë të rregulluar me ligj”, ka thënë ai.
Të shtunën e pesë nëntorit, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.
Pos zyrtarëve policorë, punonjësve të gjykatave dhe institucioneve të tjera, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e komunave veriore dhe Goran Rakiq, nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.
Njoftimi vjen pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të konsultimeve me partitë politike dhe me KQZ-në, ka caktuar 18 dhjetorin, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan-it.
Pas takimit me përfaqësues të partive politike, presidentja Osmani ka potencuar se do t’i drejtojë një kërkesë partnerëve ndërkombëtarë për monitorim të zgjedhjeve dhe pjesëmarrje sa më të madhe ndërkombëtare në këtë proces zgjedhor.