Veriu i Kosovës shpesh herë vazhdon të jetë nën tensione të shumta.
E ashtuquajtura “Brigada Veri”, ka vazhduar me krijimin dhe publikimin e grafiteve të reja pikërisht në veri të Mitrovicës.
Përmes tyre, serbëve u kërkohet që siç thuhet në to “të tregojnë rezistencë më 21 nëntor”, ditën kur edhe pritet të fillojë shqiptimi i gjobave ndaj shoferëve të cilët nuk i kanë konvertuar targat e tyre nga ato ilegale në RKS.
Lidhur me këtë, nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar se janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme për hetim dhe procedim të mëtejmë lidhur me grafitet.
“Me datë 13.11.2022 gjatë natës, në zonën e drejtorisë rajonale të Mitrovicës Veri, janë hasur disa grafite me mbishkrime të ndryshme në gjuhen serbe. Policia e Kosovës, me njësitet e saj ka ndërmarr veprimet e nevojshme policore, për hetim dhe procedim të mëtejmë, lidhur me grafitet e shkruara në disa mure dhe rrugë”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Ndryshe është përpikëri çështja e targave e cila së fundi pati komentime të shumta.
Anipse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin e vendosur për targat, një gjë e tillë nuk u bë.
Qeveria e Kosovës mori vendim që të ndryshohet masa e këtij vendimi, por jo të shtyhet i tëri.
Si fillim zyrtarët policorë kanë shqiptuar fletëqortime për serbët të cilët nuk konvertuan targat, derisa drejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, Nenad Gjuriq u shkarkua nga detyra pikërisht për sabotim të kësaj detyre.
Pas kësaj, serbë të shumtë dhanë dorëheqje nga Policia e Kosovës.
Ngjashëm vepruan edhe Lista Serbe, duke u larguar nga institucionet drejtuese në vend. Po ashtu dorëheqje pati edhe nga kryetarët e komunave me shumicë serbe, nga gjyqtarët, prokurorët, zyrtarët e doganës po ashtu dhe zyrtarët e KQZ-së.
Nga 21 nëntori pritet që Policia e Kosovës të nis shqiptimin e gjobave prej 150 euro, për ata që nuk konvertuan targat në RKS.
Duhet përkujtuar që numri i qytetarëve serbë që kishin vendosur të konvertonin këto targa ishte tejet i ulët.
Por ishin pikërisht këta serbë që në disa raste u kërcënuan, iu dogjën veturat e lokalet e ndryshme vetëm e vetëm për ri-regjistrim të këtyre automjeteve.
Situata në veri të vendit prej disa ditësh raportohet të jetë e qetë, anipse ndryshime të shumta në politikë e institucione pati pikërisht për shkak të kësaj çështje.