Lajme
Albin Kurti që premtonte kushtëzimin e dialogut përfundon duke u shprehur i gatshëm t’ia zgjasë dorën Serbisë
Demokracia
18:47 | 11 Nëntor 2022

Share:

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë marrë pjesë sot në Forumin për Paqe në Paris. Në fjalimet e tyre, duke folur për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, krerët e shtetit kanë dhënë disa deklarata jo shumë të harmonizuara.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, derisa foli për situatën e fundit në Kosovë, tha se nuk mund të bëhesh mik më dikë që ka tendenca luftarake ndaj fqinjit të tij.

“Në vitet e 90’ta, disa e shihnin Millosheviqin si paqebërës, disa mendonin që vetëm me të, më Millosheviqin do të arrihej paqja, por e dimë rezultatin. Rezultati ishte 150 mijë njerëz të vrarë të pafajshëm në luftën e Jugosllavisë. Mësimi është, nuk mund të afrohesh, nuk mund të miqësohesh nga një autokrat, nuk mund të afrohesh më dikë që ka tendenca apo qëllime luftarake ndaj një fqinji, dikë që nuk e pranon dhe vazhdon të mohojë ekzistencën e fqinjve të tyre. Ajo që po ndodh midis Rusisë dhe Ukrainës është mësimi i dytë që mund ta nxjerrim nga kjo. Paqja është e mundur dhe mund të jetë afatgjatë nëse agresori nuk shpërblehet, sepse shpërblimi i agresorit, me territorin e vendit që ka sulmuar ose më ndonjë mekanizëm apo masë tjetër, thjesht do ta inkurajojë më shumë që të sulmojë njëri-tjetrin pas ca vitesh”, ka deklaruar Osmani.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti që premtonte kushtëzimin e dialogut, ka përfunduar duke u shprehur i gatshëm t’ia zgjasë dorën Serbisë.

Kurti ka thënë se Kosova është e gatshme që Serbisë t’ia shtrijë dorën dhe të krijojë marrëdhënie të mira fqinjësore, por ngriti dyshime se Serbia mund ta bëjë të njëjtën gjë.

Ai tha po ashtu se paqen dhe sigurinë në Evropë, përveç Rusisë, po i sfidon edhe Serbia.

“Paqja dhe siguria në Evropë nuk po sfidohet vetëm në lindje nga Rusia, por edhe në juglindje nga Serbia. Ata nuk kanë kufij të përbashkët, por kanë qëllime të përbashkëta. I shohin shtetet me thjerrëza të etnisë, sepse nuk besojnë në vlerat e demokracisë”, ka thënë ai.

“11 vjet më vonë marrëdhëniet nuk janë më të mira se para një dekada dhe ka një arsye për këtë. Serbia ka dështuar në demokratizimin e saj dhe kërkon më shumë konflikt sesa bashkëpunim, ende u jep lavdi kriminelëve të luftës në vend se t’i gjykojë e t’i dënojë. Kam frikë se Serbia nuk është as demokratike e as e pavarur. Është një regjim që udhëhiqet nga Kisha Ortodokse e dominohet nga Rusia e Putinit. Kosova kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe jemi gati të zgjasim dorën për një vend që ka kryer gjenocid ndaj vendit tonë, nëse ata janë gati të çlirojnë grushtet e tyre. Ajo që nuk ofrojmë janë koncesionet për ta ndarë vendin tonë në vija etnike, por nëse Serbia nuk është gati të na njohë, 5 vendet e Evropës nuk kanë nevojë të presin, mund ta ndihmojnë Serbinë të na njohë më shpejt, duke na njohur ato fillimisht”, ka theksuar Kurti, përcjell Demokracia.com.

Ndryshe, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka mirëpritur rreth 70 liderë botërorë sot në Paris, të cilët morën pjesë ceremoninë për të shënuar 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Armëpushimi hyri në fuqi më 11 nëntor 1918, duke i dhënë fund kështu luftës katërvjeçare, që la të vdekur të paktën 10 milionë ushtarë dhe miliona njerëz të tjerë./Demokracia.com/

Të ngjashme