Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë prezantimit të planit për rimëkëmbjen ekonomike në Komunën e Gjilanit.
Në këtë vizitë ai ka thënë se vendi ka nevojë për një kryeministër që i ruan marrëdhëniet me të gjitha shtetet mike dhe jo një kryeministër si Ramush Haradinaj i cili, sipas Hoxhajt prishi lidhjet me Evropën ose si Albin Kurti me Amerikën, raporton Demokracia.com
“Ne nuk mundemi më me pas kryeministra ku njëri merr në thua dhe na prish me Evropën qysh na pati prishur Ramush Haradinaj. Ia merrte mendja që mund të shtyhet me Angela Merkel dhe me Macron dhe i la të rinjtë, të rejat e Gjilanit dhe krejt qytetarët e Kosovës pa viza. Apo Albini i cili na prishi me Amerikën. Ne nuk jemi, as Kinë, as Rusia, as Gjermania, e cila mund të bartë këtë barrë. Neve na duhet një politikë e mençur, neve na duhet t’i ruajmë arritjet që i kemi arritur deri tash bashkë”, ka thënë Hoxhaj.
Ai gjatë këtij takimi me pensionistët është zotuar për rritje deri 40% të pensioneve.
“Në emër të qeverisë që do ta udhëheqë unë do të ketë rritje të pensioneve 30 deri në 40 përqind varësisht prej kategorisë, ata të cilët janë pensionistë kontributdhënës do ta kenë shumën që do ta marrin, ata të cilët janë pensione të cilët nuk kanë dhënë kontribut po janë në skenën pensionale. Po prej 30 deri në 40 përqind dhe do të jetë një rritje kështu e mirëfilltë. Ky nuk është ndonjë premtim zgjedhor por zotim”, ka paralajmëruar Hoxhaj.
Hoxhaj gjatë kësaj vizite ka qenë i shoqëruar me sekretarin e kësaj partie Urani Ismaili, i cili premtoi se qytetarët mund t’i marrin barnat pa para, vetëm me letërnjoftim./Demokacia.com